Spanja, Gjermania dhe Shqipëria me mbështetjen e EUROPOL kanë kryer një mega-operacion kundër krimit të organizuar me origjinë shqiptare.
Është çmontuar një organizatë tradicionale shqiptare kushtuar trafikimit dhe kultivimit masiv të marihuanës, e cila përfaqëson aksionin më të madh policor kundër këtij specialiteti kriminal. Janë arrestuar në total 107 persona.
Lidhur me këtë megaoperacion të organizuar nga bashkëpunimi i policisë së 3 shteteve, ka mbajtur fjalën e tij edhe drejtori i policisë së shtetit shqiptar Ardi Veliu i cili ndodhet në Madrid.
Veliu tha se ky operacion tregon pjekurinë e policisë shqiptare dhe shtoi se nuk do të mjaftoheshin vetëm me kaq por do të bënin të mundur edhe identifikimin e pasurive ekonomike që shqiptarët e grupeve kriminale kanë në Shqipëri. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për të paralizuar aktivitetin e tyre kriminal pasi do të kishin vështirësi ekonomike.
Drejtori i Policisë së shtetit, Ardi Veliu
“Kemi bashkëpunuar me policinë spanjolle vazhdimisht. Kjo vërteton edhe njëherë se policia shqiptare është tashmë e pjekur jo vetëm momentalisht por edhe një partner i besueshëm për të bërë goditjen e krimit të organizuar në të gjithë vendet aty ku ka shtetas shqiptarë. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë operacion, do të vazhdojmë në vendin tonë duke identifikuar të gjitha pronat që mund të kenë ardhur si rezultat i aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve. Duke i goditur edhe në pjesën ekonomike i japim një goditje tepër të fortë grupeve kriminale duke i paralizuar.”