“Mungesa e anëtarësimit në BE do t’i japë Shqipërisë dhe Serbisë një dorë të fortë për të folur mbi ndryshimet e kufijve”.
Kjo është deklarata e bujshme e Timothy Less, ish-diplomat britanik në Bosnje e Hercegovinë dhe profesor në Qendrën për Gjeopolitikë dhe Strategji në Universitetin e Cambridgeit i cili theksoi që Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja përfundimisht do t’i bashkoheshin nismës “Ballkani i Hapur”.
Less tha se nuk mund të ketë përparim në takimet e ardhshme ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi thotë se BE-ja refuzon të flasë për çështje reale.
“Nuk do të ketë përparim, të paktën në një afat të shkurtër, sepse evropianët refuzojnë të flasin për çështje reale, për kufijtë dhe territorin. Serbia nuk ka asnjë nxitje reale për të hequr dorë nga Kosova pa perspektivën e marrjes së Republikës Srpskas dhe nuk do ta bëjë këtë. Kosova nuk ka nxitje për të bërë lëshime. Sidoqoftë, unë nuk shoh që kjo situatë të zgjasë pafundësisht sepse mjedisi ndërkombëtar po ndryshon që përfundimisht do të ofrojnë një zgjidhje. Si BE-ja ashtu edhe SHBA-ja janë në një gjendje krize që ka të ngjarë të përkeqësohet në të ardhmen e afërt, duke u dhënë aktorëve në Ballkan më shumë hapësirë për manovrim”, thotë Less në një intervistë për “Kosovo Online”.
Në mungesën e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Serbisë në BE, ish-diplomati britanik e sheh zgjidhjen e problemeve në Ballkan.
“Serbët e Bosnjës do t’i përgjigjen gjithnjë e më pak kërcënimeve duke këmbëngulur për pavarësi, ndërsa shqiptarët e Kosovës do t’i përgjigjen dobësimit të garancisë së sigurisë duke iu afruar Shqipërisë. Dhe në mungesë të anëtarësimit në BE, Serbia dhe Shqipëria do t’i kenë duart më të lira për ta menaxhuar procesin e rishikimit të kufijve. Kështu do të zgjidhet çështja e Kosovës”, thotë ai.
Ai tha se nga 4 shtatori pret që Kosova dhe Serbia ta nisin fushatën e njohje-ç’njohjeve.
“Po, e pres këtë. Në mungesë të një marrëveshjes Kosovë-Serbia do të përpiqen të ndryshojnë realitetin politik duke njohur ose mohuar njohjen”, tha ai.