Lefter Koka ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme nga mandati i deputetit fituar në qarkun e Durrësit, ku ai arriti të dilte i dyti për numrin e votave personale, 9609.
Vetëm Kryeminsitri Edi Rama arriti t’ia kalonte, duke siguruar 15871 vota. Lefter Koka, i cili ka qenë pjesë e qeverisë Rama nën siglën e LSI-së, nuk pranoi të hiqte dorë nga mandati i deputetit në vitin 2019, kur opozita e bashkuar doli me vendim unanim nga Parlamenti.
Lefter Koka më pas vendosi të garojë për PS-në në Durrës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke grumbulluar një numër të madh votash. Nuk dihet nëse kjo ka qenë një lëvizje taktike e Kryeministrit Rama për të maksimalizuar votat e PS në Durrës me obkjektiv kryesor votat e LSI-së, të cilën e la pa asnjë mandat deputeti në këtë qark.
Në letrën e tij të lamtumirës, Lefter Koka thekson se 20 vite më parë ka garuar për të qenë zëri i qytetarëve, por sot ka ardhur koha që rrugëtimin e tij politik ta vazhdojnë bashkëpunëtorët e tij që e bënë fitues për vite më radhë.
“Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve”, shkruan ndër të tjera Koka.
Letra:
2 dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.
Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.
Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!
Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.