Pavarësisht se tha se nuk ishte i mërzitur për faktin që u la jashtë qeverisë nga kryeministri Edi Rama, Taulant Balla ka hedhur disa kunja në drejtim të Damian Gjiknurit, i cili i mori dy pozicione, atë të sekretarit të përgjithshëm të partisë, dhe drejtuesit politik të qarkut të Elbasanit.
Teksa ftoi me lezet gazetarët që të jenë në Elbasan të dielën, ku kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjet kualifikuese për botërorin e ardhshëm, Balla iu kërkoi atyre që të qëndronin të qetë pasi në qytetin ku ai është zgjedhur deputet, nuk ka tërmete.
E sigurisht nuk e kishte fjalën për ato tërmete që shkaktohen nga lëvizja e pllakave të tokës, por nga tërmetet e Gjiknurit që është kujdesur ti shkaktojë në qarqe si Dibra e më pas Vlora.
“Unë nuk e mendoj që të jesh kreu i grupit të mazhorancës nuk është pozicion i rëndësishëm politik, dhe të drejtosh qarkun e dytë më të madh në vend, nuk është pozicion i rëndësishëm politik.
Meqënëse unë jam deputet i Elbasanit, ku gjej rastin që të falenderoj 90 mijë votuesit e Elbasanit, i falenderoj një për një, falenderoj dhe ata që nuk na votuan, por koha do të tregojë që vota është për të ardhmen e vendit.
Unë nuk e fsheh se PS është një parti shumë mirë e organizuar, ama e mira nuk ka fund. Unë ju thashë që kryetari i shumicës parlamentare është përgjegjësi e dytë pas kryeministrit, në administrimin e duhur të besimit që na kanë dhënë shqiptarët. Janë një grup deputetesh që duhet të ruajnë një rol më aktiv, unë nuk shoh në këtë vendim asnjë shmangie nga ajo që unë kam dëshirë të bëj.
Prej ditës së parë kur jam zgjedhur deputet, kam thënë që do të jem zëri i tyre që kanë votuar për mua, rezultatet kanë qenë në rritje të vazhdueshme.
Unë do të mërzitesha me zotin Rama, nëse qarku i Elbasanit nuk merr investimet që i takojnë. Elbasani duhet të jetë në mbështetjen e parë të qeverisë, ky është roli i deputetëve në çdo vend të botës.
Unë do të jem mes Elbasanit dhe Fierit. Të dielën ju pres në Elbasan, pasi luan kombëtarja, ju siguroj që në Elbasan nuk bie tërmet kështu që iu pres të gjithëve”, tha Balla pas mbledhjes së Asamblesë.
Edi Rama prezanton kabinetin e ri qeveritar (kush mbetet dhe surprizat)
(E.K/Faxweb.al)