Për gazetarin dhe analistin Ben Andoni lëvizjet e sotme të Edi Ramës në qeveri nuk rezervuan asnjë surprizë, dhe mund të kishte pasur emra më të spikatur në disa sektorë kyç si ekonomia apo bujqësia. Edhe pse vlerësoi dy drejtoreshat që tashmë do të jenë ministre, Frida Krifca dhe Delina Ibrahimaj, që do të jenë përkatësisht në krye të bujqësisë dhe financave e ekonomisë, Andoni tha se në këto dy dikastere duhet të kishte persona më me përvojë dhe eksperiencë.
Sa i takon rikonfirmimit të ministres së Arsimit Evis Kushi, Andoni tha se ajo nuk ka pasur kohë të mjaftueshme për të shpalosur vizionin e saj, pasi qëndron në krye të kësaj ministrie për afro një vit.
“Nuk pati shumë surpriza, në dy dikastere të rëndësishme zoti Rama vendosi dy zonja që më parë kishin qenë drejtoresha, që është Ministria e Ekonomisë dhe e Bujqësisë. Pa i paragjykuar të dyja zonjat, mendoja se në këto dy pozicione duhet të ishin persona me kontribut më të spikatur. Zoti Rama e dha një lloj sinjali që në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Mos harroni që zonja Kushi kishte një vit në atë dikaster, kohë e pamjaftueshme që ajo të mund të shpërfaqej, pa harruar që ka punuar në kushtet e pandemisë. Duhet të shohim sa mundësi ka zonja Kushi që të çojë në fund reformën e arsimit”, tha Andoni, ndërsa më tej analizoi dhe Ahmetajn, Gjiknurin dhe Ballën.
“Zëvendëskryeministri është nën hijen e zotit Rama, është një post gati i padukshëm, nëse nuk do të kishte një pozicion tjetër, si ai që ka marrë zoti Ahmetaj, për çështjen e rindërtimit.
Unë mendoj se zoti Balla ka kundërshti shumë të mëdha nga brenda PS, nuk ka ushqyer simpati brenda partisë, e dyta po i jepet një detyrë si ajo e rregullimit të imazhit të PS-së në Fier, zgjedhjet e fundit treguan një rezultat nën pritshmëri. Të gjitha këto kërkonin një dorë të fortë organizative në Fier, dhe unë nuk mendoj se zoti Balla nuk ka marrë vlerësim nga Rama.
Gjiknuri mban peshën e zgjedhjeve në PS, është i padiskutueshëm, është njeriu që njeh më mirë strukturën, i përshtatet staturës, ka shkuar njeriu i duhur në vendin e duhur”, u shpreh analisti, ndërsa parashikoi dhe një rikthim të shpejtë në qeveri të Blendi Klosit, për të cilin tha se është një nga më të pakënaqurit me zgjedhjet e sotme të Ramës.
“Për zotin Klosi nuk është e largët dita kur të kemi në një post ministror, hije pakënaqësie dukeshin dhe te zoti Balla”, tha gazetari.
Sa i takon Manastirliut, Andoni tha se ajo qëndron më pranë linjës së propagandës së Edi Ramës, ndërsa Belinda Balluku është njeriu që e njeh më mirë kryeministrin.
“Është vazhduar me emrat që ka pasur, me një pjesë të tyre shkon mirë, zonja Manastirliu ka shkuar më mirë në drejtim të propagandës, sesa politikat që janë ndërmarrë në terren. Shqipëria ka mbetur pas sa i takon procesit të vaksinimit. Zonja Balluku është individi që e njeh më mirë zotin Rama, ajo di të lexojë regjistrin e zotit Rama, që nga koha kur kanë punuar së bashku në bashki”, nënvizoi mes të tjerave Andoni.
Sa i takon Mirela Kumbaros që u vendos në krye të Turizmit , Andoni tha se ajo do të ketë shumë sfida përpara.
(E.K/Faxweb.al)