Qeveria shqiptare i ka harruar fermerët të cilët e kanë të pamundur të shesin prodhimet e tyre bujqësore.
Ditën e sotme “Fax News” ishte në Elbasan për të parë nga pranë vështirësitë që has fermerët të cilët thonë se nga shitja e pakët e prodhimeve të tyre nxjerrin vetëm fitime minimale.
Gjatë intervistës një emigrant që është rikthyer për të investuar në Shqipëri thotë se kryeministri Rama i ka lënë në mëshirë të fatit pasi nuk i ka ndihmuar. Fermeri pohon se e vetmja “ndihmë tallëse” që ka marrë nga ministria e Bujqësisë ishin vetëm dy çadra për shiun.
“Nuk kemi asnjë lloj ndihme nga Qeveria. Kam dy vjet që jam rikthyer nga emigrimi dua të dal në fjalën e kryeministrit Rama që ka thënë se “kush rikthehet nga emigrimi do të ndihmohet”. Kam investuar 28 milionë lek me këto sera. Kam hapur NIPT, jam me gjitha në rregull, për kanalin kullues unë paguaj taksa dhe ata nuk e pastrojnë sepse sera nuk kullon, mora punëtor i pagova vetë për ta pastruar sepse më përmbytet. Tani erdhën nga ministria e bujqësisë hyjnë brenda dhe më thanë që do të japin ndihmë, por në fund më dhanë vetëm 2 çadra për shi, nuk doja t’ia merrja. Ishin të ministrisë së bujqësisë kanë ardhur në nëntor. Deri tani kam paguar 9 milionë lek pasmes, asnjë ndihmë nga qeveria. Asnjë lloj leku apo subvencioni nuk kam marrë, shteti duhet ti hapë sytë dhe të shikojë të na ndihmojë, gjithë taksat i paguaj”, thotë fermeri.
Aktualisht fermerët janë duke kultivuar domaten e vonë pasi për shkak të mungesës së këtij produkti në tregje këtë vit shpresojnë se do të kenë shitje dhe fitime më të mira se ato që lanë pas.