Presidenti i vendit Ilir Meta ka kërkuar që menjëherë me nisjen e sezonit të ri parlamentar, seanca e parë e të cilit do të mbahet në 10 Shtator, të ngrihet një komision parlamentar për fëmijët e larguar nga vendi në 10 vitet e fundit.
Meta thotë se është thellësisht i shqetësuar për largimin e të rinjve, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë.
Presidenti vijon më tej duke thënë se duhet të ketë hetimet për gjendjen dhe vendndodhjen e tyre, si dhe të rekomandohen masa efikase me qëllim ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.
Reagimi i Metës:
Sipas të dhënave të bëra publike nga EUROSTAT, mbi 60.000 fëmijë janë larguar nga Shqipëria dhe kanë kërkuar azil për herë të parë në një vend të BE-së gjatë 10 viteve të fundit (2011-2020).
Mbi 82 përqind e tyre janë nën moshën 14 vjeç.
Thellësisht i shqetësuar për këtë largim masiv të fëmijëve nga Shqipëria, veçanërisht për faktin se destinacioni i tyre final është i paqartë, e mbështes kërkesën e CRCA/ECPAT dhe inkurajoj ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, me hapjen e Kuvendit të ri, për të hetuar gjendjen dhe vendodhjen e tyre, analizuar arsyet dhe përgjegjësit, si dhe rekomanduar masat efikase me qëllim ndërtimin e një strategjie konkrete shtetërore për ndalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm.
Të bëjmë gjithçka për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, duke rikthyer besimin dhe garantuar mundësi dhe hapësira të reja, për t’u ndjerë plotësisht të realizuar, për të ndërtuar të ardhmen e tyre të sigurt europiane në Atdhe.
(E.K/Faxweb.al)