5 persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit, nën akuzën e mashtrimit, pasi pajisnin qytetarë me teste false për Covid 19. Bëhet fjalë për dy raste të prodhimit të testeve false, ndërkohë që përveç 5 personave të arrestuar, një tjetër qytetar është shpallur në kërkim.
Në pranga kanë rënë Violeta Begeja, 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”, e punësuar pranë agjensisë së udhëtimit “IDA”, në lagjen nr.4., Durrës;
Albiona Cuka, 24 vjeçe, për veprën penale “Mashtrimi”; Blerim Maloku, 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, Asllan Diva, 23 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë laboratorit “Medical Care Lami”, në lagjen nr.4, Durrës.
U shpall në kërkim policor për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetasi Lutfi Lami, 52 vjeç, administrator i laboratorit “Medical Care Lami”.
Në rastin e dytë arrestua në flagrancë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetësja Artiola Budani, 24 vjeçe, si dhe u procedua penalisht për të njëjtat vepra penale shtetësja Ornela Sallaku, 40 vjeçe, të 2 banuese në Durrës, të punësuara pranë agjensisë “Kristal Travel”, në lagjen nr.4, Durrës.
Njoftimi i policisë:
Goditen dhe 2 raste të tjera të falsifikimit të tamponëve “COVID-19”, kundrejt përfitimit. Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, 1 shtetase procedohet penalisht dhe 1 tjetër shtetas shpallet në kërkim.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë organizuar punën dhe kanë goditur 2 raste të mashtrimit dhe falsifikimit të tamponëve ndaj qytetarëve të cilët udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, në qytetin e Durrësit, ku 1 rast kryhej në bashkëpunim mdis agjensisë së udhëtimit dhe laboratorit për kryerjen e testve, dhe 1 rast falsifikimi dhe mashtrimi kryhej nga vetë agjensia e udhëtimit.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit: V. B., 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”, e punësuar pranë një agjensie udhëtimi, në lagjen nr.4., Durrës;
A.C., 24 vjeçe, për veprën penale “Mashtrimi”, B. M., 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, A. D., 23 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë një laboratori në lagjen nr.4, Durrës. Gjithashtu u shpall në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetasi L. L., 52 vjeç, administrator i laboratorit në lagjen nr.4, Durrës.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qën të punësuar pranë agjensisë turistike dhe laboratorit, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me testime “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.
Po nga këta struktura, u arrestua në flagrancë për veprat penale, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, shtetësja A. B., 24 vjeçe, si dhe u procedua penalisht për të njëjtat vepra penale, shtetësja O. S., 40 vjeçe, të 2-ja, banuese në Durrës.
Këta shtetase në bashkëpunim me njëra-tjerën, duke qënë të punësuara pranë një agjensie udhëtimesh, në lagjen nr.4, Durrës, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, paisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejtë vendeve të BE-së, me teste “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan njesi kompjuterike të 2 agjensive, tamponë për kryerjen e testeve dhe disa fletë me përgjigjie të testeve të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
(E.K/Faxweb.al)