Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të martën vendimin e konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Beratit, Adelajda Gjuzi. Siç shihet dhe nga pamjet nga seanca, gjyqtarja është emocionuar pas vendimit dhe ka puthur në buzë bashkëshortin e saj, edhe pse ky i fundit mbante maskë, si pjesë e rregullave anticovid.
Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten, Gjuzi dha shpjegime lidhur me dhurimet e kryera nga prindërit e bashkëshortit si dhe për dy garazhe të blera nga vjehrri, për të cilat u ngritën dyshime se mund të jenë prona të fshehura. Gjuzi e kundërshtoi këtë konstatim.
Gjuzi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin u relatua se nuk ishin konstatuar shkelje të rënda procedurale.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Gjuzi u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Alma Faskaj, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtare Genta Tafa Bungo.