Ambasada gjermane në Tiranë ka zbardhur axhendën e kancelares Angela Merkel, gjatë vizitës që ajo do të ketë në vendin tonë të martën e 14 Shtatorit. Me mbërritjen e saj në Tiranë Merkel do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin Edi Rama, dhe më pas do të jetë e pranishme në forumin me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në axhendë parashikohen takime dypalëshe me përfaqësues të të gjitha shtetet të BP-së me përjashtim të Serbisë (të cilën Merkel do ta vizitojë një ditë më herët), e cila zakonisht në këto takime përfaqësohet nga kryeministrja Brnabic.
Sa i takon vizitës në Serbi, që do të mbahet të hënën, Merkel do të takohet atje me presidentin serb Aleksandër Vuçic, ndërkohë që mediat vendase e quajnë vizitën e kancelares një nder të madh që i bëhet vendit.
Në takimin dypalësh mes Merkel dhe Ramës, ambasada njofton se do të bisedohet për çështjet e politikës ekonomike si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe integrimi i Shqipërisë në BE.
Në axhendën e bërë publike, nuk përmenden takime me zyrtarë të tjerë apo përfaqësues politikë në vendin tonë.
Vizita e Merkel në Shqipëri është e fundit që ajo ndërmerr teksa mban detyrën e kancelares, ku pritet të zëvendësohet në zgjedhjet e ardhshme, ku vetë ajo nuk ka kandiduar.
Njoftimi i ambasadës gjermane:
Kancelarja Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë të martën, më 14 shtator.
Në Tiranë ajo do takohet fillimisht për një bisedë me kryeministrin Edi Rama. Të planifikuara janë biseda që lidhen me çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, por edhe çështje që lidhen me përafrimin me BE-në.
Në bisedimet e mëpasme me krerët e qeverive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime dypalëshe me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
(E.K/Faxweb.al)