Në Shqipëri, ish kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, forcës politike të cilën ai e themeloi në vitin 1990, dhe që e udhëhoqi deri në vtin 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të atij viti. Vendimin për ta lënë atë jashtë e bëri të ditur sonte, kryetari demokrat Lulzim Basha, në një deklaratë publike, duke shpjeguar se ky akt vjen pasi Departamenti amerikan i shtetit i ka ndaluar ish kryeministrit dhe ish presidentit të vendit, dhe familjes së tij, hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara..
“Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, zoti Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”, deklaroi zoti Basha duke shtuar se “kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës”.
Zoti Basha i kushtoi një pjesë të mirë të fjalës së tij vlerësimit të figurës së zotit Berisha. “Ky vendim i sotëm nuk cënon aspak kontributin dhe arritjet e zotit Berisha si lider historik i Partisë Demokratike dhe si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë këtyre 30 viteve. Nuk cënon aspak atë që përfaqëson Sali Berisha për historinë e Partisë Demokratike”, u shpreh kryetari demokrat, ndërsa nënvizoi më tej se “ky vendim i sotëm, aspak i lehtë për mua, si në aspektin politik, por mbi të gjitha në atë njerëzor, por besoj edhe për çdo demokrat, ka si udhërrëfyes të tij, si kurdoherë, vetëm interesin e demokratëve, interesin e Partisë Demokratike, interesin e qytetarëve shqiptarë”
Sipas zotit Basha, vendimi për të lënë jashtë grupit parlamentar demokrat zotin Berisha lidhet pikërisht me këtë interes. “Ju më keni besuar drejtimin e Partisë Demokratike për të marrë edhe vendime që lëkundin emocionet tona. Mirëpo, secili prej nesh, duke nisur nga unë i pari, ka detyrimin për të sakrifikuar nga vetja për interesin e Partisë Demokratike, për interesin e demokratëve, për interesin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi zoti Basha.
Disa javë më parë, ambasadorja amerikane Yuri Kim, kërkoi publikisht, pas një takimi me zotin Basha, distancimin e partisë Demokratike nga zoti Berisha, duke bërë të ditur se priste një reflektim për çështjen para nisjes së sesionit parlamentar.
Nga ana e tij ish kryeministri Berisha reagoi ashpër ndaj deklaratave të zonjës Kim, duke deklaruar se ai nuk do të heqë dorë nga mandati i tij dhe se PD duhet të kërkonte prova e fakte.
Sonte, pas vendimit të shpallur nga zoti Basha, ish udhëheqësi historik i demokratëve u shpreh me tone zhgënjyese. “Vendim jashtë çdo lloj norme staturore e ligjore të vendit. Një vendim të tillë një njeri që respekton parimet më elementare të një force politike të lirë nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka patur, por pavarësisht nga presioni, mendoj se disa herë më parë, zoti Basha duhet të konsideronte dorëheqjen e tij se sa të dorëzonte sovranitetin e PD-së”, deklaroi ai në një intervistë në televizionin Syri.Tv.
Për zotin Berisha, vendimi i kryetarit Basha është “asgjesues për Partinë Demokratike”. Ai tha se “e kuptoj presionin e madh, por njeriu i civilizuar ndodhet para rrethanave që nuk pranon kurrë një vendim i cili faktikisht asgjëson forcën politike opozitare, PD. Për të marrë një vendim të tillë, zoti Basha duhet të mblidhte kongresin e PD-së, të ndryshonte statutin e PD-së, të vendoste një nen në statut në të cilin të sanksionohej, përjashtimi nga grupi i personave të cilët përcaktohen “non grata” nga SHBA-të apo një vend tjetër. Ky nen nuk ekziston dhe nuk mund të ekzistojë pa transparencën. Në këtë kontekst, për interesa apo qëllime të caktuara, shpalli një vendim që është nul, se është një vendim i tij dhe asnjë forumi të PD-së”.
Me një ndikim ende të fortë në PD, zoti Berisha foli me terma të përgjithshme për lëvizjet e tij të ardhshme, por duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend të qëndrojë duarkryq. “Do të bëj gjithshka për rivendosjen e sovranitetit të PD-së, rikthimin e saj në ato parime të cilat i shkelmoi sot në mënyrë të paimagjinueshme, Lulzim Basha dhe pa të cilat, forca politike është një fasadë opozitë””, deklaroi ai, pa dhënë detaje, në një tjetër intervistë, për televizionin Klan.
Vendimi i njoftuar nga zoti Basha, ka sjell pështjellim në radhët e deputetëve të PD-së. Mbledhja e grupit parlamentar, e zhvilluar menjëherë pas deklaratës së kryetarit demokrat, është zhvilluar në një atmosferë jo pak të tensionuar, ku nuk kanë munguar zëra që e kanë kritikuar ashpër zotin Basha, duke e akuzuar atë se ka vrarë PD dhe se ka mohuar historinë e kësaj force politike./Zeri i Amerikes