Në disa dalje mediatike mbrëmjen e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha këmbënguli se lëvizja e Lulzim Bashës për ta përjashtuar atë nga grupi parlamentar ishte nul dhe e pabazuar në asnjë ligj apo rregullore të brendshme të partisë. Dhe ashtu duket të jetë me të vërtetë në fakt…
Rregullorja e Kuvendit e parashikon qartë se vendimin se cilit grup do ti përkasi në Kuvend e merr vetë deputeti, dhe jo e anasjellta. 5 ditë nga data e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, secilit prej deputetëve i lind detyrimi dhe e drejta që të deklarojnë me shkrim se cilin grup përfaqësojnë.
Në këtë rast Berisha mund të shënojë PD si grupin e tij parlamentar, dhe duket se Basha ligjërisht nuk mund ta ndalojë.
E vetmja gjë që i mbetet Bashës në dorë është të ndalojë Berishën që të jetë pjesë e mbledhjeve në selinë blu, por edhe këtu ka dyshime, pasi vetë ish-kryeministri Berisha tha se askush nuk e ndalon atë që të shkojë në zyrat e partisë që themeloi vetë rreth 30 vite më parë. (lexo ketu qendrimin e Berishes)
Në media nuk është përjashtuar mundësia që Berisha të formojë një grup të ri parlamentar, për të cilin do të duhen minimumi 7 deputetë, ndërkohë që mbështetjen ndaj tij e kanë shprehur sot publikisht Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehu.
(E.K/Faxweb.al)