Vrasja nga efektivët e repartit RENEA e shtetasit Lefter Zhidru në Elbasan, është mbyllur nga prokuroria e Elbasanit. Vendimi për mbylljen e dosjes është marrë në fillim të muajit gusht dhe tashmë çështja ndodhet në shqyrtim pranë gjykatës së Elbasanit, ku pritet që në seancat në vijim gjykata të miratojë kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes.
Sipas prokurorit të çeshtjes, Petref Asllani, policia ka vepruar sipas rregullores duke qëlluar në proporcion të njëkohshëm me viktimën, Lefter Zhidru, i cili për gati 5 orë me radhë mbajti të terrorizuar me armë lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Gjatë kësaj kohe 71-vjeçari, Lefter Zhidru, qëlloi në drejtim të banorëve të lagjes ku jetonte dhe njëherësh hapi zjarr me automatik dhe ndaj forcave të policisë Elbasan dhe efektivëve të repartit special RENEA, që shkuan në vendgjarje për të kontrolluar situatën.
Nga goditja me armë që Lefter Zhidru ka kryer në muajin shtator 2020, janë plagosur dhe dy djem të lagjes së tij, shtetasit Adenour Konaxhiu 21 vjeç dhe Ledio Saraçi 22 vjeç.
Tashmë akuzat për tentativën e vrasjes së këtyre personave dhe akuzat e tjera si mbajtja ma pa leje të armëve dhe 6 kallëpeve me dinamit, janë pushuar për shkak se autori i këtyre veprave penale, ka ndërruar jetë si pasojë e goditjes me snajper nga forcat RENEA.
24 shtatori i vitit 2020, ishte një ditë tragjike për familjen Zhidru dhe një ditë po aq tmerruese për qytetin e Elbasanit ku 71-vjeçari Lefter Zhidru për 5 orë rresht qëlloi pa pushim drejt policisë dhe forcave RENEA për të mos u dorëzuar.
Ngjarja përfundoi me ekzekutimin e tij dhe gjetjen e një sasie armësh dhe municionesh në banesë, për të cilat vetë familja e tij nuk kishte dijeni për ekzistencën.
Reagimi me armë erdhi pasi Lefter Zhidru ishte ngritur mëngjesin e 24 shtatorit mjaft i acaruar dhe agresiv dhe gjithçka kishte lidhje me një konflikt 6-vjeçar me një fqinjin e tyre, Arjan Kalemaj, i cili sipas pretendimeve të gruas, e ngacmonte dhe provokonte vazhdimisht Lefterin.
Ata ishin në një proces gjyqësor me fqinjin e tyre, ndërsa Lefter Zhidru akuzonte vazhdimisht shtetin se ndaj tij është bërë gjithmonë padrejtësi, pasi nuk ka reaguar kurrë ndaj padive që ai kishte bërë për ngacmimet.