Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka theksuar mbrëmjen e sotme se nuk do të heqë dorë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pavarësisht vendimit të Bashës.
Berisha listoi tre arsye për këtë vendim të tij për të mos lënë grupin e PD-së. Së pari ai tha se nuk largohet sepse kandidoi në listën e PD-së dhe jo si i pavarur. Së dyti, nuk heq dorë sepse KQZ ia ka dhënë mandatin si deputet i PD-së. Dhe së treti, për arsye se vendimi i Bashës është kundër statutit.
Berisha nuk shikon asgjë të keqe te mendimi personal i Bashës që Berisha duhet të largohet nga PD pas vendimit të DASH, ama ish-Kryeministri thotë se vendimi i takon të paktën ta merrte këshilli kombëtar dhe jo ai personalisht.
“Data 10 ishte ditë historike për mua. Përpjekje e jashtëzakonshme për të cënuar për të marrë sovranitetin e parlamentit, për të diktuar kush do të hyjë në parlament dështoi plotësisht . Garantoj çdo shqiptar që në mënyrë absolute synimi im nuk ishte personi Sali Berisha por sovraniteti i vendit, që për aq kohë sa të jetë i lirë nuk duhet t’i diktojë askush se cilët persona duhet të futen në parlament. Jam anëtar i grupit të PD-së, pavarësisht nga burokracia. Ka një ligj që përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i grupit. Jam anëtar sepse kam kandiduar si pjesë e PD-së dhe jo i pavarur. Së dyti KQZ mandatin e Sali Berishës e ka lëshuar si deputet anëtar i PD-së. Së treti z.Basha ka bërë një deklaratë publike duke dhunuar çdo nen të statutit të PD-së. Nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal si kryetar partie që Berisha për këtë shkak nuk duhet të jetë pjesë e grupit por ky vendim është nul e bojë nëse nuk vlerësohet minimumi në këshillin kombëtar të PD-së, ku ai duhej të miratohej me 2/3 siç thotë statuti i PD-së”, tha Berisha.
(E.H/Faxweb.al)