Kancelarja gjermane Angela Merkel ka nisur takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti menjëherë pas vizitës së saj në Tiranë. Nisja e këtij takimi është njoftuar nga Kurti i cili ka postuar në Facebook një video nga ku po zhvillohen bisedimet me Merkel.
Kurti shkruan se do të diskutohet për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve dhe për bashkëpunimin rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian. Kryeministri i Kosovës në këtë takim shoqërohet me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Merkel vizitoi për herë të dytë në mënyrë zyrtare Shqipërinë në fund të mandatit të saj qeverisës, si pjesë e turit të saj në rajon për takime me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Postimi i kryeministrit të Kosovës:
Filloi takimi me Kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla do të diskutojmë për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona dhe bashkëpunimin rajonal brenda agjendës së Bashkimit Evropian.
(E.D/faxweb.al)