Lëvizja Houthi, e lidhur me Iranin, tha të shtunën se autoritetet e saj kanë ekzekutuar nëntë burra të shpallur fajtorë për përfshirje në vrasjen e Saleh al-Samadit më 2018. Samad ishte udhëheqësi më i lartë civil i këtij grupi.
Samam ishte president i administratës së kontrolluar nga lëvizja Houthi, që e kontrollon shumicën e pjesës veriore të Jemenit. Ai u vra në prill të vitit 2018 nga një sulm ajror i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në qytetin Hodeidah, shkruan Reuters.
Autoritetet e lëvizjes houthi thanë se nëntë burrat e ekzekutuar ishin të dënuar për përfshirje në vrasjen e ish-udhëheqësit, përfshirë spiunimin dhe furnizimin e armikut me të dhëna të ndjeshme.
Ai ishte zyrtari më i lartë që u vra nga koalicioni në luftën e gjatë, në të cilën rebelët Houthi po luftojnë kundër forcave besnike të qeverisë së njohur nga komuniteti ndërkombëtar, e cila selinë e ka në qytetin jugor bregdetar, Aden.
Qeveria e Jemenit përkrahet nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili ka marrë përkrahje edhe nga fuqitë perëndimore. Arabia Saudite dhe shumica e vendeve aleate të Gjirit Persik pretendojnë se rebelët Houthi janë dorë e zgjatur e Iranit. Sidoqoftë, lëvizja Houthi dhe Irani e mohojnë këtë.