Ditët e fundit kemi dëgjuar shumë raste të dhunës në familje. Viktima të dhunës janë gratë dhe nënat e fëmijëve. Vetëm në 9 muajt e fundit janë vrarë 16 gra nga bashkëshortët e familjarët.
Historia, që emisioni “Stop” solli sot, është ajo e një zonje, e cila prej 1 viti e gjysmë dhunohet nga ish-bashkëjetuesi i saj. Gruaja ka një djalë 15 vjeç dhe një tjetër 3 vjeç, të ardhur në jetë nga marrëdhënia me agresorin Ervin Hysolli. (Shiko ketu videon)
“Ka ushtruar dhunë sistematike tek unë, dhunë kafshërore. Arsyet kanë qenë të kota. Të shumtat e rasteve kanë qenë lekët. Zotëria, herë punonte dhe herë jo. Shtëpia mbahej nga lekët e mia. Filloi të ushtrojë dhunë nga unë “të duket vetja superiore”. Fëmijët, djalin me të cilin e kam bashkëjetuesin është 3 vjeç e gjysmë dhe djali im i madh është 15 vjeç. Dhuna ndodhte në sy të fëmijëve. Kohët e fundit nuk e dërgoja djalin në shkollë sepse ishte i papunë, mbaja djalin në shtëpi nga frika që kisha sepse për gjënë më të kotë, nëse flisja thoshte që provokon dhe më godiste. Nëse nuk flisje, thoshte më injoron dhe përsëri më godiste”, tha gruaja.
Përplasjet nisën për arsye financiare, pasi Hysolli nuk kishte punë dhe para. Një nga herët, dhuna u bë e padurueshme dhe zonja përfundoi në spital e më pas në komisariatin numër 3, ku bëri denoncim.
“Kërkonte lekë nga unë, nuk ia jepja. Herën e fundit që degradoi është kacafytur me djalin e madh. Kur djali mëpa përtokë të gjakosur, iu vërsul dhe i tha mos e prek më nënën time. Filluan të kacafyteshin dhe kjo ishte arsyeja pse kam shkuar në spital. Kur kam parë policin e ndjeva që nëse nuk e denoncoja atëherë jeta ime radhës tjetër do kishte marrë fund”, tha viktima e dhunës.
Gjithçka ndodhte në sy të fëmijëve dhe i madhi e regjistroi me telefon gjithë aktin shtazarak të rrahjes barbare të së ëmës.
“Unë sa po vija nga shkolla dhe po dëgjoja se po ziheshin me fjalë. Hyj në dhomë dhe shkoj tek kompjuteri. Dëgjoj zhurma goditjeje. Marr telefonin, shkoj e regjistroj. E shikoja që po dhunohej. Vëllai i vogël po qante dhe e regjistrova. Ai bënte zënka të përditshme. Për gjëra të vogla fare. Për shembull pse ra vëllai”, tregon i mituri.
Çfarë ndodhi pas denoncimit? A iu dha mbrojtje zonjës?
“Kam qëndruar katër orë tek ushtaraku. Policia ka shkuar dhe e ka marrë në shtëpi, kanë vajtur në komisariat numër 3. Kam treguar edhe videot e dhunës që ka ushtruar. Policia e ka thirrur, e ka mbajtur dy orë dhe e ka liruar”, tregoi e dhunuara.
Gjykata është mjaftuar vetëm me një urdhër mbrojtjeje.
“Kam urdhër mbrojtjeje vetëm për një vit. Personi është i lirë dhe kur jemi ballafaquar në gjykata, ka buzëqeshur në mënyrë kërcënuese dhe ironike që “ti nuk më bën dot asgjë mua”, tha e dhunuara.
(E.H/Faxweb.al)