Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nga qendra shëndetësore numër 4 në Tiranë, ju ka bërë apel të gjithë arsimtarëve që ende nuk janë vaksinuar, studentëve e pedagogëve, të paraqiten në qendrën më të afërt të vaksinimit për të kryer vaksinën ndaj Covid-19.
Manastirliu bëri me dije se ditën e hënë hyn në fuqi urdhri për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit nga personeli arsimor në të gjitha shkollat e vendit.
“Duke filluar edhe nga dita e hënë, ne do të lëshojmë udhëzimin që do të ndiqet për të verifikuar ata që kanë kryer vaksinimin, duke filluar nga arsimtarët. Urdhri përmban të gjithë vendimet që ka marrë Komiteti Teknik i Ekspertëve, i cili përcakton që vetë institucionet shkollore, do duhet që të kontrollojnë nëpërmjet mekanizmave që do të ngrenë, të gjithë certifikatat e vaksinimit për personelin që do të jetë në shkolla dhe gjithashtu duke filluar nga data 11 tetor edhe për studentët”, u shpreh ajo.
Alternativa e mungesës së certifikatës së vaksinimit do të jetë testi i përjavshëm ose mësimi alternativ për studentët e pavaksinuar.
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë më dije se interesi i shtuar në muajt e hapur të vaksinimit nga personeli arsimtarëve, e ka çuar në mbi 80% vaksinimin e tyre me një dozë dhe mbi 60% me dy doza, duke paraqitur mbulesë të lartë vaksinale.