Tre është numri i të arrestuarve në orët e fundit në qarkun e Fierit, ndërkohë dy persona të tjerë janë proceduar penalisht për zjarrvënie tq qëllimshme.
Policia e Fierit ka arrestuar shtetasin Arian Gucaj pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, si edhe shtetasin Enver Tahirllari, i cili ka dhunuar ish-bashkëshorten.
Nga ana tjetër, Policia e Patosit ka vënë në pranga shtetasin Armir Dervishaj për drejtim të automjetit pa patentë.
Për sa i përket procedimeve, Policia e Lushnjes dhe Fierit kanë nisur procedimet penale për zjarrvënie ndaj shtetasve Rushan Plaka dhe Ardian Sema.
Njoftimi i plote i Policise së Fierit:
DVP Fier
Vihen në prangat e Policisë 3 shtetas, një prej të cilëve pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Procedohen penalisht 2 shtetas për zjarrvënie.
•Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga shërbimet e Policisë Rrugore në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi A. G., 56 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas u kap në kushtet e flagrancës nga shërbimet e Policisë në vendin e quajtur “Pushimi i shoferit” duke transportuar me automjetin tip “Fiat”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
•Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasin E. T., banues në Patos pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes së tij.
•Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 26 vjeç, banues në Patos, pasi u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
———-
Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatet e Policisë Fier dhe Lushnjë, proceduan përkatësisht shtetasit R. P., banues në fshatin Vidhisht, Roskovec dhe A. S., banues në fshatin Rrupaj, Lushnjë, pasi duke djegur barëra në tokat e tyre, si pasojë flakët e zjarrit kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë djegur sipërfaqe me ullinj dhe misër në pronësi të shtetasve Xh. H., L. H dhe P. M.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.
(E.H/Faxweb.al)