Është mbajtur ditën e sotme mbledhja e parë e Komisionit të Ligjeve me debate mes deputetëve të opozitës për mënyrën e organizimit të mbledhjeve të komisoneve.
Kujtojmë se një javë më parë deputetët e opozitës kanë qenë kundër vendimit të marrë nga qeveria për organizimin e mbledhjeve online të Komisioneve. Ndërsa ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, deputetët demokratë janë paraqitur fizikisht duke argumentuar se online nuk kuptohej asgjë nga qytetarët dhe se nuk kishte kuptim kjo mënyrë organizimi kur mbledhjet e Kuvendit që janë me 140 deputetë organizoheshin fizikisht.
Ndërsa kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushati ka qenë e prerë ndaj tyre duke u bërë të qartë se mbledhja nuk do mund të vazhdonte nëse deputetët nuk do logoheshin online.
Klotilda Bushati:
Mbledhja nuk ka sesi të vazhdojë për ju nëse nuk logoheni. Ndoshta kolegët nuk janë dakord me vendimin e konferencës së kryetarëve, por unë dua të zbatoj vendimin e marrë nga Kuvendi shqiptar. E çmoj prezencën tuaj këtu por ne do të zbatojmë vendimin e marrë nga parlamenti.
Ndërsa pas vetëm 10 minutash mbledhja ka përfunduar, pa u marrë vesh asgjë gjatë zhvillimit të saj, pasi gjatë fjalës së kryetares së Komisioit, deputetët e opozitës kërkonin vazhdimisht të drejtën për të folur edhe pse nuk ishin loguar online.