Burime të “Fax News” bëjnë me dije që ditën e nesërme do të tërhiqet trupi i pajetë i Aldi Ramës nga tezja e tij.
Deri tani asnjë prej prindërve nuk ishte paraqitur për të tërhequr trupin e 21-vjeçarit që vrau veten pasi qëlloi dy herë duke e lënë të vdekur në vend efektivin e policisë, Saimir Hoxhën.
Aldi Rama prej kohësh jetonte në shtëpi me gjyshërit pasi prindërit e tij ishin divorcuar, ndërsa babai i tij vuan dënimin me burg të përjetshëm në Greqi.
Policia deklaron se Saimir Hoxha së bashku me dy kolegë të tij kishin shkuar për të shkatërruar një parcelë të mbjellë me bimë narkotike, konkretisht 62 të tilla, dhe në kthim, vetëm 500 metra larg saj kanë hasur makinën ku udhëtonte Aldi Rama dhe dy shokët e tij, të cilët janë vënë në pranga.
Ashtu siç është thënë dhe më herët, dy shokët e Aldi Ramës kanë pranuar që të kontrollohen dhe të zbresin nga makina, ndërkohë që 21 vjeçari ka qëlluar pa paralajmërim në drejtim të nënkomisarit Saimir Hoxha.