Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj kanë dalë sot në një konferencë të përbashkët për mediat, ku kanë deklaruar se rritja ekonomike në tremujorin e dytë të 2021-tës ka qenë 18%, duke e krahasuar këtë me vitin 2020, i cili në gjysmën e parë të tij ishte më së shumti në karantinë, dhe me një rënie të madhe nga 2019.
Sipas Ahmetajt dhe Brahimajt, kjo është rritja më e madhe mes të gjitha vendeve të rajonit.
“Ekonomia rritet me +18% në tremujorin e dytë dhe shënon rritjen më të lartë në rajon.
Kjo rritje zbut masivisht efektet tronditëse të pandemisë dhe hap një perspektivë shumë inkurajuese për mbylljen e vitit 2021 me shërimin e plotë të plagëve të vitit të shkuar në ekonomi.
Industria, tregtia dhe ndërtimi janë kontribuesit më kryesorë në rritjen e fortë të ekonomisë, duke konfirmuar përmirësimin e ndjeshëm të aktivitetit ekonomik, falë reformave, mirëqeverisjes ekonomike dhe rikthimit të të gjitha vendeve të humbura të punës vitin e kaluar”, u shprehën Ahmetaj dhe Brahimaj.
Në mbështetje dhe të prioriteteve të shpallura nga Rama për mandatin e tretë, Ahmetaj tha se rindërtimi dhe rimëkëmbja ekonomike mbetet prioritet gjatë vitit të ardhshëm.
“Ne rifituam të gjitha vendet e punës që humbëm, për shkak të pandemisë. Rritja ekonomike por rikthehet në trajektore të konsoliduar. Rimëkëmbja do të mbetet prioriteti kryesore. Do të krijojë më shumë vende punë duke mbështetur sektorët më të goditur.
50 mln euro mbështetje për sipërmarrësit në fushën e turizmit. 5 mln euro për bizneset në fushën e transportit. Këto janë trendë të konsoliduara që tregojnë ri ngritjen ekonomike” tha ndër të tjera Arben Ahmetaj.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e dytë të vitit 2021, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2020, shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 0,61 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 39,85 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 41,68 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 31,80%. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rritje prej 13,34 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 27,31%.
Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 10,09 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 18,48 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 13,06 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rritje me 34,04 %. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 13,96 %.
(E.K/Faxweb.al)