Banorët e Laknasit kanë protestuar sërish përsa i përket edhe konfliktit që kanë me firmën që prej 3 vitesh tashmë po kërkon të ndërtojë një thertore në pyllin që ata e kanë pranë.
Ditën e sotme protestës i është bashkuar edhe ambientalisti, Sazan Guri, i cili i bëri thirrje ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe kryeministrit Rama që të vijnë në këtë zonë për të dëgjuar kërkesat banorëve. Guri ka kërkuar që të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit i cili del më 20 tetor.
“Më 20 tetor është Gjyqi i Apelit, këta nuk presin vendimin por duan ta ndërtojnë sa më shpejt. Kam një thirrje për Bledi Çuçin. Policët e Kamzës mos vijnë që të kërcënojnë qytetarët që protestojnë por të vijë këtu t’i japë përgjigje kërkesës së banorëve. Ndërsa për Edi Ramën doja që t’i thoja të hapë telefonin kur i bie, e di unë që është i zënë me punë të tjera, por pasdite ka kohë për të folur edhe për këtë problematikë”, u shpreh Sazan Guri.
Protesta ditën e sotme është shoqëruar me përplasje mes banorëve të zonës dhe punëtorëve të firmës të cilët janë paraqitur në vendin ku është parashikuar të ndërtohet thertorja. Sipas tyre firma nuk ka asnjë lloj dokumenti për të vazhduar me ndërtimin e thertores dhe theksojnë se ky vendim është ndërmarrë nga ish kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu.