Forcat polake kanë përdorur gaz lotsjellës e kamionë me ujë kundër emigrantëve që po mundohen ta kalojnë kufirin nga Bjellorusia.
Ministria e Mbrojtjes e Polonisë tha se disa nga emigrantët në kufi hodhën gurë në drejtim të forcave polake, shkruan BBC.
Për disa javë, mijëra emigrantë, shumica nga Lindja e Mesme, janë grumbulluar në kufijtë e Bjellorusisë në përpjekje për të hyrë në territorin e Bashkimit Evropian.
Agjencia kufitare e Polonisë ka thënë se emigrantët kanë bërë më shumë se 5.000 përpjekje për të hyrë nga Bjellorusia në Poloni deri më tani këtë muaj, krahasuar me vetëm 88 të tilla gjatë tërë vitit të kaluar.
“Emigrantët i sulmuan ushtarët dhe oficerët tanë me gurë dhe po përpiqen që ta shkatërrojnë rrethojën e të hyjnë në Poloni. Shërbimet tona përdorën gaz lotsjellës për ta qetësuar agresionin e emigrantëve”, shkroi ministria polake në një rrjet social.
Policia polake tha se forcat bjelloruse vetëm qëndronin afër gjatë këtij zhvillimi dhe i akuzoi ato se i kanë furnizuar emigrantët me shok-granata.
Ndryshe, presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, të hënën bisedoi me telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel, për herë të parë që nga shtypja e protestave pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në Bjellorusi.