Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se paratë e partive politike të cilave nuk ju dihet as burimi as shuma, janë elemente të korrupsionit.
Kështu u shpreh Kurti në diskutimin publik për Projektligjin për Financimin e Partive Politike.
Tutje, kryeministri tha se këto elemente ndikojnë në elektorat dhe në demokraci.
“Duhet ta kuptojmë që paratë në fushata zgjedhore por edhe në partitë politike, ndërmjet fushatave të cilave nuk u dihet burimi e as shuma, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë edhe në elektorat dhe në demokracinë tonë”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, korporatat që japin miliona për partitë politike e bëjnë këtë si investim, ku presin të fitojnë shumëfish përmes tenderëve.
“Kur një Korporatë i jep miliona për një politikan, nuk i jep ato sepse ka simpati për politikanin/en, por sepse dëshiron që nesër ai ose ajo, të jetë në pushtet, të fitojë shumëfishin e këtij investimi përmes tenderëve dhe licencave shtetërore. Pra, për korporatat paratë për partitë politikë janë investim që pret edhe kthim edhe fitim”, theksoi Kurti.
Kurti tha se shpresojnë të ketë konsensus politik ndërpartiak në lidhje me këtë projektligj.
“Ne shpresojmë që në këto parime të kemi konsensus ndërpartiak sepse është për të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejojnë që rezultatet e zgjedhjeve e më pas edhe qeverisja të përcaktohen nga korporatat”, tha kryeministri.
Ndryshimet në këtë projektligj i konsideroi të nevojshme edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
“Ndryshimet bë këtë draft ligj janë të rëndësishme dhe kanë për qëllim identifikimin e metave që janë shfaqur deri tani. Reforma e forcon kredibilitetin e zgjedhjeve. Financimi i partive politike është i rëndësisë së veçantë për funksionimin e demokracisë. Financat e partive politike duhet të jenë më të qarta dhe transparente”, tha ai.