Lefter Koka është arrestuar ditën e sotme me urdhër nga SPAK për shpërdorim detyre gjatë kohës kur ka qenë në pozicione publike si kryetar bashkie, si ministër apo si deputet.
Siç duket Koka mund të ketë pasur ndonjë sinjal për këtë lëvizje dhe prandaj edhe muaj më parë konkretisht në datën 1 shtator ka dhënë dorëheqjen nga mandati deputetit.
Arrestimet kanë të bëjnë të gjitha me shpërdorime të detyrave publike. Vazhdon operacioni lidhur me këtë ccështje. Ndërkohë sipas burimeve masat janë dhenë në mungesë dhe janë miratuar nga gjykata e Posaçme.
Gjithashtu urdhër arreste janë lëshuar edhe për persona të tjerë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Kush është Lefter Koka?
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.
Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në vitin 2019.
Më 1 shtator, deputeti i zgjedhur i PS-së, Lefter Koka, ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit të fituar në zgjedhjet e 25 prillit në Durrës.