Të paktën 50 persona kanë vdekur nga shpërthimi i një cisterne në qytetin e dytë më të madh të Haitit, Cap-Haitien, tha të martën kryetari i qytetit.
Pierre Yvrose i tha agjencisë Reuters se spitali lokal është duke u përpjekur që t’i trajtojë të gjithë të lënduarit, numri i përgjithshëm i të cilëve ende nuk dihet.
“Kemi nevojë për burime njerëzore dhe gjithashtu burime materiale, më saktësisht serum, fasha dhe gjithçka që mund të përdoret në rast të djegieve serioze”, tha Yvrose.
Qeveria haitiane shpalli tri ditë zie për të vdekurit. Kamioni që po bartte benzinë u rrotullua rreth mesnatës në zonën Sanmarie, në lindje të qytetit Cap-Haitien, sipas medieve vendëse.
Vendi i vogël i Karaibeve është përballur me një valë dhune këtë vit nga bandat, të cilat për rreth një muaj nuk e lejuan mbushjen e cisternave në portet kryesore të karburanteve, duke detyruar shumë biznese që të mbyllen. Shpërndarja e karburantit rinisi muajin e kaluar.
Bandat janë bërë edhe më të fuqishme pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moise në korrik, që krijoi boshllëk politik dhe ua mundësoi grupeve kriminale zgjerimin e territoreve të tyre.
(E.H/Faxweb.al)