Zinxhiri bujqësor, që nga prodhimi, magazinimi, përpunimi dhe eksporti nuk pret rritje në vitin 2022.
Çmimet e larta të inputeve bujqësore, heqja e skemës së subvencionit dhe mungesa e punonjësve e kanë rënduar klimën e bizneseve në bujqësi. Fermerët kanë lajmëruar pakësim të mbjelljeve këtë sezon. Vladimir Çela, i cili zotëron një nga fermat më të mëdha në zonën e Fierit, tha se fermerët kanë mbjellë më pak në serra. Shkak, sipas tij, u bënë çmimet e larta të mbjelljeve të dyta dhe borxhet e larta në furnitorët e inputeve.
Gentian Ziu, fermer në zonën e Kutallisë në Berat tha se, prodhimi në serra do të jetë më i ulët në vitin 2022, pasi shumë serra nuk janë mbjellë me domate dhe kastravec.
Në fusha, normalisht mbjelljet janë më të pakta pasi ureja dhe nitrati kanë arritur më shumë se 10 mijë lekë kuintali, tha Ziu.
Edhe pjesa tjetër e zinxhirit nuk është optimiste, sidomos eksportuesit, si rrjedhojë e heqjes së skemës së subvencionit të TVSH-së. Burime nga Doni Fruits, kompania më e madhe e grumbullimit dhe eksportit të fruta-perimeve në vend, pohojnë se nuk presin rritje në vitin 2022.
Historikisht bizneset bujqësore, sidomos fermat prodhuese, kanë vuajtur nga norma të ulëta të fitimit, por së fundmi, rritja e kostove të lëndëve të para dhe mungesa e tregut po lë pa mbjellë qindra hektarë tokë për sezonin tjetër. Në zonat e Fierit dhe Lushnjës, këtë vit, ureja shitet 120% më shtrenjtë dhe nitrati gati 250% më shumë se vitin e kaluar.
Gjithashtu janë rritur kostot për të gjitha helmet dhe pesticidet e tjera, plastmasën dhe hekurin e serrave. Fermeri Ziu tha se kostoja e prodhimit të një kilogrami domate tani ka arritur në 330-350 lekë, në varësi të kulturës dhe farës, nga rreth 29 lekë ose 30 lekë vitin e kaluar. Ndërkohë çmimet e shitjes kanë rënë ndjeshëm poshtë kostos.
Domatet dhe kastravecët e serrave janë baza e eksporteve shqiptare të produkteve bujqësore. Sipas të dhënave mbi tregtinë nga Kombet e Bashkuara, në vitin 2020, eksportet e domateve dhe kastravecëve arritën 49.4 milionë dollarë, me rritje 10% në krahasim me vitin 2019, kur vlera e tyre ishte 45 milionë dollarë. Vlera e eksporteve të zarzavateve gjithsej ishte 72 milionë euro vitin e kaluar, 67% e tyre përfaqësoheshin nga domatet dhe kastravecët.
Eksportet e domateve dominojnë, me vlerë 37 milionë euro, duke zënë më shumë se 40% të eksporteve të zarzavateve.
Sipas ekspertëve, nxitja e eksporteve bujqësore, më shumë se sa nga prodhimi në fushë, po vjen nga përmirësimi i zinxhirëve të tregtisë dhe eksportit, si dhe investimeve në kapacitete frigoriferike.
Në paketën e fundit fiskale u bënë dy ndryshime të taksave, me efekt në rritjen e kostos për industrinë përpunuese të ushqimeve.
U hoq TVSH e rimbursueshme për blerjet nga 6% që ishte më parë dhe u hoq përjashtimi i TVSH-së për importimin e makinerive dhe pajisjeve, në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë, nga 50 milionë lekë që ishte më parë.
Ndryshimet fiskale janë pritur me shqetësim nga industria e përpunimit që prej 3 vitesh vuan rritjen kostove nga ndryshimet e skemës të rimbursueshme të TVSH-së. Industrialistët pohojnë se ndryshimet do të shkaktojnë shumë dëme te përpunuesit.
Alban Zusi, sipërmarrës në sektorin e përpunimit, i cili kohët e fundit është angazhuar në sektorin e prodhimit të inputeve për bujqësinë, thotë se, kostot mund të lehtësohen duke e sjellë prodhimin e një pjesë të plehrave në Shqipëri. Ai tha se Shqipëria trashëgon një përvojë nga e kaluara në këtë drejtim, e cila mund të shfrytëzohet në disa procese në vendin tonë.
Zusi shprehet se mund të importohen ingredientët bazë dhe më pas në Shqipëri të kryhet procesi i përzierjes dhe paketimit. Në këtë mënyrë, shkurtohen kostot e transportit dhe hapen mundësi të reja për biznes. Z. Zusi vuri në jetë një projekt që rezultoi i suksesshëm për prodhimin e ushqimeve për pularitë.
Blegtoria do të vijojë të ketë rënie në vitin 2022. Eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli, pohon se rritja e çmimeve të inputeve bujqësore, naftës, mungesa e subvencioneve dhe paketa e re fiskale vlerësohen faktorët kryesorë që do të ndikojnë negativisht te sektori.
Resuli shprehet se për këtë vit, çmimi i tregtimit të mishit do të stabilizohet pas rritjes që ndodhi në 2021.
Cilat ishin problematikat shqetësuese për sektorin e blegtorisë në vitin që lamë pas?
Blegtoria u përball për të tretin vit me radhë, që nga 2019-a, me vështirësi. Viti 2021 ishte i ngarkuar dhe me situatën e krijuar post-COVID-19. Problematikat që u hasën në vitin 2021 ishin rritja e çmimeve për inputet bujqësore dhe plehrat kimike në muajin shkurt-mars e më pas do të pasonte me rritjen e çmimit të naftës në periudhën maj-qershor.
Sikur të mos të mjaftonin gjithë këto, blegtorët u përballën me një verë tepër të nxehtë që shkaktoi dëme në drithërat dhe ushqimet voluminoze, si pasojë edhe e sistemit tonë vaditës që nuk investohet apo mirëmbahet prej 30 vitesh. Viti që lamë pas konsiderohet me plot gojën viti më i vështirë për blegtorinë. Mbështetja nga skema kombëtare ishte 6,5 milionë euro, duke shtuar dhe alokimet e fundvitit prej 5 milionë eurosh.
Mbështetja nuk ishte në përputhje me kërkesat dhe nevojën që kërkonte blegtoria, për këtë arsye, skema kombëtare nuk prodhoi asnjë mbështetje që kriza të mos ndihej. Ndër të tjera, për sektorin e bujqësisë nuk kishte asnjë paketë dedikuar situatës së rënduar post COVID-19.
Si pritet të vijojë situata për blegtorinë, duke përfshirë edhe efektet e paketës fiskale 2022?
Viti 2022, nga të gjitha parashikimet për blegtorinë, rezulton me prognozë fatale. Sikur të mos mjaftonin gjithë këto problematika, sektorit i vihet edhe një gur i rëndë në kurriz me “paketën fiskale”, kur të gjithë prisnim që qeveria dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ta kishte përparësi këtë sektor, blegtorët u përballën me një buxhet të barabartë në vitin 2021 dhe njëkohësisht me një paketë fiskale që ndikon drejtpërdrejt tek ta nga shtimi i TVSH-së me 10% të inputeve, farave dhe plehrave nga 0% që ishte prej 2019-s dhe shtimi 20% i TVSH për importin e mjeteve dhe pajisjeve bujqësore dhe blegtorale.
Këto ndryshime u miratuan në një kohë kur në muajt e fundit të vitit 2021 nisi shitja e fermave blegtorale dhe ulja e numrit të krerëve. Blegtoria për 2022 do të jetë me trend rënës e për këtë do të ketë efekt zinxhir, pasi fabrikat e përpunimit të qumështit do të hedhin sytë, sikundër kanë vepruar, nga rajoni për furnizim me qumësht.
Bujqësia dhe blegtoria kanë qenë të cunguara në mbështetje, duke u reflektuar edhe me një shkallë fituesish në nivelin 10% të të regjistruarve me NIPT-e ose 2,5% të totalit nga 350,000 familje fermerësh. Buxheti për bujqësinë dhe blegtorinë gjithmonë është i pamjaftueshëm. Përveç kësaj, jo më shumë se 10% e totalit të fermerëve që janë të pajisur me NIPT.
Çfarë masash nevojiten për përmirësimin e situatës?
Skema mbështetëse të qarta dhe mbështetje pa limit siç i ka rajoni të pandryshuara për një periudhë 5-vjeçare. Kjo do të ndikojë për formalizimin e sektorit dhe njëkohësisht do të rriste të ardhurat në buxhetin e shtetit. Në mbështetje të bujqësisë dhe blegtorisë kërkohet seriozitet në hartimin e skemave mbështetëse, duke u konsultuar me gjithë grupet e interesit dhe mosndryshimi i tyre për një periudhë afatgjatë, si dhe mbështetje financiare reale.
Çfarë pritet të ndodhë me tregtimin e mishit, do të ketë rritje të çmimit për konsumatorin?
Gjatë 2021 ka pasur rritje të çmimit të bulmetit dhe mishit. Për 2022, rritja e çmimeve do të stabilizohet, pasi rritja e tyre i hap rrugë importeve të produkteve blegtorale nga rajoni për bulmetin dhe mishit nga Argjentina dhe SHBA-ja. Aktualisht, 1 kg mish viçi kushton 1,000 lekë dhe 1 kg mish i të imtave 1,300 lekë nga 800 deri 900 lekë/kg që ishte më parë.
Mendoj se çmimet nuk do të rriten, pasi tregu më tepër do të furnizohet me mish nga Argjentina dhe SHBA, ku kostoja e tyre nuk kushton më shumë se 1 dollar/kg. Edhe çmimi i bulmetit nuk do të rritet, pasi do t’u hapte rrugë importeve të rajonit që prodhojnë produkte më të lira, për shkak të çmimit më të lirë të qumështit.
Eksportuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike nuk janë optimistë për ecurinë e sektorit në vitin 2022. Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatikë, thotë se këtë vit, prodhimi pritet të pësojë rënie nga shpopullimi i zonave malore dhe paketa fiskale.
Ulja e prodhimit, sipas z. Gjoka, pritet të nxisë rritjen e importit të bimëve që përpunohen në vend dhe më pas rieksportohen. Në vitin 2022, sektori parashikohet të rrisë edhe shkallën e përpunimit të bimëve të grumbulluara nëse nga vendet e BE-së miratohet kërkesa për rritjen e pragut të xhiros për asistencë fondesh.
Si e parashikoni vitin 2022 për sektorin e grumbullit dhe eksportimit të bimëve mjekësore dhe aromatike?
Eksportet e bimëve mjekësore dhe aromatike për periudhën janar-nëntor 2021 ishin me rritje 5,5% më shumë se në 2019-n, ndonëse nuk janë nivelet e parashikuara. Investimet e kryera ndër vite në këtë industri i kanë rritur vlerën prodhimit. Edhe shtimi i kërkesës për produktet e çajit në veçanti, që u forcua më shumë me pandeminë, ndikoi te rritja e eksporteve.
Tendenca për konsumin e çajeve të sherebelës, boronicës, dafinës (që ndihmon për kollën) është në rritje. Sasia më e lartë e eksportuar vjet ishte në Gjermani, e ndjekur nga SHBA, Australia dhe Kanadaja. Për vitin 2022, nuk jemi shumë optimistë për ecurinë e sektorit, pasi buxheti dhe paketa e re fiskale godet prodhimtarinë e shumë fermerëve. Masat u miratuan pa u konsultuar me aktorët e sektorit të bujqësisë.
Ekziston frika e madhe se, duke qenë se fermerët nuk janë të mbështetur me masë subvencionuese nga qeveria, do të ulin prodhimin. Edhe heqja e skemës së TVSh-së së kreditueshme pritet të reduktojë prodhimin e fermerit, pasi çdo bujk është i lidhur me NIPT me pikat e grumbullimit për shitjen e prodhimit. Shqetësimi është ngritur nga takimet që kemi zhvilluar me fermerë të Koplikut dhe Korçës.
Për këto arsye, do të kemi mungesë të fortë të lëndës së parë dhe do të vazhdojmë të rrisim importet nga jashtë për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga prodhimi vendas. Vështirësi është krijuar edhe nga çmimet e larta të transportit ndërkombëtar, sidomos me SHBA, ku kontejneri nga 3,000 dollarë ka arritur 8,000 deri në 12,000 dollarë. Rritja e parashikuar e çmimit të energjisë elektrike pritet të jetë një tjetër faktor që do të ndikojë në kostot e prodhimit.
Cilat janë arsyet e rritjes së importit të bimëve mjekësore?
Rënia e prodhimit vendas është arsyeja kryesore se pse kemi nisur importin e bimëve që përpunohen në vend e më pas rieksportohen. Kultivimet brenda vendit duhet të rriten, sepse ne kemi krijuar në treg disa brande shqiptare që rrezikohet të zëvendësohen me furnizime nga shtetet ku sektori është industrializuar, për shkak të subvencioneve. Shpopullimi i zonave malore është një tjetër faktor i rënies së prodhimit.
Në këto zona, shumë banorë kanë emigruar jashtë, apo janë transferuar në zonat urbane brenda vendit. Parashikojmë që për vitin 2022 të ketë mungesë të madhe të fuqisë punëtore. Në 2020-n, pavarësisht se në shumë shtete u zbatuan masa kufizuese, emigrimi i punonjësve nuk u ndal. Për të plotësuar mungesën e tregut, kemi nisur importin e bimëve mjekësore.
Në vitin 2021, vlera e importeve ishte 2 milionë dollarë dhe parashikohet me rritje edhe për vitin 2022. Po importojmë mëllagën e bardhë, dëllinjën e zezë, rigonin, rozmarinë nga Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Tunizia, pasi tokat në vend janë djerrë. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nuk ka ende një politikë të mirëfilltë për subvencionet e fermerëve në mbështetje të industrisë.
Si parashikohet zgjidhja e problemit për ekonominë e shkallës në sektorin tuaj?
Në tërësi, në sektorin e eksportit të bimëve mjekësore dhe aromatike, 25% e prodhimit arrihet të përpunohet në produkt final, ndërsa 75% eksportohet si lëndë e parë. Shkalla e përpunimit të bimëve është e ulët, për shkak të mungesës së investimeve.
Presim që për vitin 2022, shkalla e përpunimit të rritet, pasi në Bruksel do të diskutohet ndryshimi i rregullave për aplikimet e kompanive shqiptare në projektet e granteve të BE-së. Me vendimin e ndryshuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, edhe kompanitë me xhiro deri në 11 milionë dollarë kanë të drejtë të aplikojnë për fondet e BE-së. Më parë, kompanitë me xhiro deri 2,4 milionë dollarë nuk mund të aplikonin për fondet mbështetëse të BE-së. Shumë kompani, për shkak të kësaj mase, janë penalizuar. Rritja e pragut të xhiros për fonde do të ndikojë pozitivisht te rritja e eksporteve të tyre./Monitor