Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në një postim në llogarinë e tij në Twitter, shprehet se opozita e vetme në vend është PD. Për Partinë Demokratike, kryeministri Edi Rama, kreu i shtetit Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha “kanë të njëjtin hall, që ta mbajnë Shqipërinë peng.”
Gazment Bardhi në Twitter
“Njëri kordinon sulmin mbi PD, tjetri financon foltoren, tjetri zbaton skenarin për shkatërrimin e PD. Të tre kanë të njëjtin hall, të tre duan ta mbajnë Shqipërinë peng. Kushdo e ka të qartë se ata janë bashkë, se në Shqipëri ka vetëm një opozitë, që është PD. Zgjidh Ramën dhe merr Berishën dhe Meten. Zgjidh Berishën e Meten dhe merr Ramën.”
Bardhi ka publikuar një video në të cilën janë shkëputur deklarata të ndryshme nga Berisha, Meta e Rama. Citohet kreu i shtetit kur në një konferencë për mediat tregoi mesazhet që kishte shkëmbyer me Belind Këlliçin përpara protestës së 8 janarit.
Në pamje është shkëputur edhe deklarata e djeshme e ish-kryeministrit Berisha i cili, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje, tha se sallat në të cilat është mbajtur “Foltorja” kanë qenë falas dhe janë vënë në dispozicion nga kryetarët e Bashkive përkatëse.
Po ashtu, përmendet edhe kryeministri Edi Rama ndërsa në një studio televizive mbrëmjen e së enjtes diskutonte rreth legjitimitetit të liderit aktual dhe ish-liderit të PD-së.
Që nga momenti që ka nisur krisja mes dy grupeve në PD, akuzat për bashkëpunim të mundshëm me kreyministrin Rama kanë qenë të ndërsjella nga të dyja kampet. Ndërsa kreu i shtetit Ilir Meta ka dalë së fundmi hapur në mbështetje të grupimit të Berishës.