Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje propozimet e degëve të PD-së për 6 kandidaturat për zgjedhjet e “6 marsit”.
Në Durrës, PD zyrtarizoi Luan Hotin; në Shkodër Xhamal Bushatin; në Dibër ishin negociatat e vështira dhe në fund u caktua Luan Haka; në Vorë u caktua Ymer Marku; në Rrogozhinë Ferdinand Saraçi; ndërsa në Bashkinë e Lushnjës do të kandidojë Indrit Sefa, i cili kohët e fundit mbajti postin e sekretarit për çështjet ligjore. Ndërkohë, burime për “Gazetën Panorama” bënë me dije se kryedemokrati Basha i ka quajtur zgjedhjet si të personalizuara të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta. Kjo, sipas Bashës, bëhet për të sulmuar Partinë Demokratike.
Në Kryesinë e PD-së nuk kanë munguar as debatet. Shkak është bërë Bashkia e Dibrës, ku kandidatura doli e fundit. Drejtuesi politik i Dibrës, Xhelal Mziu, u shpreh i pakënaqur, pasi nuk ishte pyetur për përcaktimin e kandidaturës. Sipas tij, deputetët e dinë se kush ka punuar e kush i ka dëmtuar në zgjedhjet e kaluara.
Ndërkohë debat ka pasur edhe mes Kreshnik Çollakut e Mziut. Shkak i debatit u bë se deputeti Çollaku mbrojti kandidatin për kryetar bashkie dhe se mohoi problematikat në zonë. Ndërsa drejtuesi politik i Dibrës i kujtoi se 1300 anëtarë të PD-së në Mat, ku Çollaku është përgjegjës, kanë ikur me “Foltoren”.
DEBATI ME DYER TE MBYLLURA:
Lulzim Basha: Zgjedhjet e 6 marsit janë zgjedhjet e dyshes Berisha-Meta. Nuk kishte pse të kishte zgjedhje tani kur për pak muaj do të ketë sërish zgjedhje në të gjitha bashkitë, por këto janë për të sulmuar PD-në. Megjithatë, ne duhet të bëjmë çmos që të marrim votat e demokratëve, intelektualeve, pronarëve etj. Kandidatët tanë kanë dalë nga një proces në degë. Janë propozime të degës.
Xhelal Mziu: Ne nuk kemi bërë analizë të mirëfilltë për zgjedhjet e 25 prillit, ndaj për të caktuar kandidatët, besoj se duhet të ishim pyetur edhe ne që punuam në terren. Ne kemi edhe informacione se kush punoi kundër e kush na ndihmoi. Ndërkohë, edhe tani pas 9 shtatorit, kur ju kryetar morët vendimin për pezullimin, sërish nuk e bëmë analizën se kush na qëndroi dhe kush jo. Ka kryetar degësh që janë kthyer në sejmenë të degëve të tyre. Duhet të ndahen anëtarët e kryesisë dhe t’u jepet autoriteti i duhur drejtuesve politikë. Ata për terren të jenë në terren. Të ofrojnë njerëz dhe të komunikojnë me ta dhe t’i kemi në krah. Kemi shumë gjëra në dizavantazh, por duhet të dalim në terren që ta kthejmë dizavandazhin në favorin tonë.
Lulzim Basha: Për të nxjerrë këta kandidatë, ka pasur nga ato degë që kanë ardhur me një kandidaturë të unifikuar. Por ka pasur edhe degë të tjera që nuk kanë qenë të unifikuara. Për raste të veçanta, unë kam pritur në zyrë për të biseduar deri në 70 persona, për të diskutuar në lidhje me kandidaturën e mundshme. Pra, kandidaturat kanë dalë nga një proces i gjatë konsultimi.
Jemin Gjana: Marr shkas nga tensioni që u krijua. Këtu ka 30 vite që kështu janë votuar emrat në Kryesi. Unë jam njeri që, nëse doni t’u rrimë parimeve, protagonizmi është sa e ruajmë peshën në terren dhe jo kush cakton emrat. Këto janë emrat më të mirë që i ofrohen. Mendoni ju se kandidatët që dolën me primaret janë më të mirë? Ne e kuptojmë se përse u shpik 6 marsi. Sepse pas disa muajsh bëheshin zgjedhjet normale. Kjo u shpik për të sulmuar PD-në. Ne duhet të jemi të kujdesshëm për të biseduar me çdo faktor dhe çdo demokrat. Ne duhet të dalim në terren dhe të bisedojmë me çdokënd.
Lulzim Basha: Më shumë se e përçarë, Partia Demokratike është e sulmuar.
Ervin Salianji: Do të ishte e lehtë që të mos flisnim në këtë Kryesi dhe t’i kalonim emrat siç vijnë. Por ne duhet të përballemi me një opinionin që është shtruar si problematik. Nëse këta njerëz që na vendosen përpara sot si kandidatë, janë propozuar nga degët apo jo. Ka aludime që nuk ka një proces të gjerë. A kishte shumë kandidatë? Ne duhet të diskutojmë për këtë. Ata bënë një proces, ndërsa ne jo. Ne, Kryesia, duhet të përfillemi për të diskutuar emrat.
Ina Zhupa: Më vjen mirë që sot po diskutojmë për 6 emra që askush nuk ka asnjë dyshim që janë demokratë dhe kanë kontribut në degët e tyre. Pa dashur t’iu bej rezymenë, fakti që kanë ardhur nga vetë degët dhe me shkresa bile, tregon peshën e tyre. Këta janë të vetmit demokratë që do të garojnë për Partine Demokratike. Nuk duhet shqetësohemi se aty kemi në fletë edhe kandidatin e PS-së, dhe kandidatin e koalicionit LSI-PDK. Siç e dimë, edhe në 2009-2013, LSI ka marrë vota demokrate, se e kemi diskutuar në çdo takim strukturash pas 2013-ës. Kësaj radhe ato vota quhen foltore, po ne do të vazhdojmë pa asnjë pengesë nga kjo.
Roland Bejko: Kemi dy çështje. E para, janë zgjedhjet dhe raporti me terrenin. Duhen krijuar ekipet e fushatës. Duhen furnizuar me materiale kandidatët. Çdo bashki ka potenciale njerëzore me ish-individë me poste, që duhen afruar. Ne duhet të futemi për të fituar. Duke presupozuar që Berisha do të bëjë partinë e tij, ne duhet të afrojmë tanët. Kreshnik Çollaku: Kryetarët e degëve na kanë mbrojtur me jetë dhe gjak. Ne i kemi të konsoliduara degët në zonën tonë.
Xhelal Mziu: Po çfarë janë këto që thua, mor burrë? Na kanë mbrojtur me gjak e me jetë. Ku ishte nevoja?! Ku pati gjak e rrezik për jetë? Ndërkohë ti thua se i ke degët e konsoliduara, ndërkohë që Mati yt ka 1300 anëtarë më pak. Të kanë ikur të gjithë te foltorja, si i ke në rregull? Prandaj thashë se duhet një analizë qoftë e zgjedhjeve, por qoftë edhe për situatën pas 7 shtatorit.
Agron Gjekmarkaj: Ne po merremi kot 4 orë në këtë mbledhje, ndërkohë që duhet të kishim miratuar dhe të mendonim se si t’u vinim në ndihmë kandidatëve në këtë garë. Nuk kemi pse të humbasim kohë me debate boshe.