Gjykata e Posaçme ka marrë vendim sot për t’i shuar mjekut kardiolog Edvin Prifti masën ‘pezullim nga puna’ duke i hapur rrugë rikthimit të tij në detyrë. Kërkesa e mjekut u bë pasi ka kaluar afati 1-vjeçar që nga koha kur ai është marrë nën hetim nga ana e SPAK. Mjeku Prifti u vu nën akuzë nga SPAK për ‘korrupsion’ dhe ‘pastrim parash’.
Emri i mjekut Edvin Prifti doli gjatë hetimeve që SPAK nisi në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtaren Enkelejda Hoxha.
Sipas përgjimeve mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën.
Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim, pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha, por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës.
Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj.
Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën mijëra euro dhe para cash në zyrë dhe në banesë, çka rëndoi dhe pozitën Priftit dhe me akuzën ‘pastrim parash’.
Më 13 shkurt të vitit të kaluar mjekut Priftit iu vunë prangat në seancën gjyqësore për masën e tij të sigurisë, për ta fituar lirinë disa javë më pas. Prej asaj kohe mjeku vijon betejën e tij në gjyqësor dhe për heqjen e sekuestros mbi paratë, ndërsa sot fitoi njërën prej tyre, të drejtën për të ushtruar profesionin e tij në QSUT.