Lufta në Ukrainë dhe rihapja e ekonomive pas pandemisë kanë bërë që çmimet e naftës në bursa të rriten ndjeshëm.
Gjatë ditëve të fundit janë rritur çmimet në të gjithë vendet e rajonit, ndërsa ka shtete si Serbia, të cilat e kanë racionuar shitjen për qytetarët e thjeshtë pas ekziston frika për mungesë të furnizimit për në periudhat e mëvonshme.
Në Shqipëri ka rritje të çmimit, i cili sot në disa pika ka arritur deri në 230 lekë për litër, megjithatë duket të mos ketë probleme sa i përket furnizimit pasi kompanitë që importojnë karburantet kanë mbushur tashmë çisternat e tyre rezervë me qëllim ruajtjen e një stabiliteti për furnizimin gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim.
Aktualisht, sipas Reuters, çmimi i një fuçie karburant është 115 dollar, ndërsa vetëm pak ditë më parë është vërejtur në rreth 91 dollar për fuçi.
Gjasat janë që çmimet të mos rriten gjatë periudhave në vijim për shkak të sasisë së madhe të rezervave të karburantit në vend.