Për nder, për klasifikim dhe për të përmirësuar pikët e vitit të kaluar. Sprinti final fillon në Cagliari për Juventusin, transfertë në të cilën synon të konsolidojë vendin e katërt në Serie A. Po kështu, nis sprova reale edhe për Massimiliano Allegrin, i thirrur për të justifikuar investimin e shtrenjtë të bërë verën e kaluar nga drejtuesit, duke rikthyer atë për të zëvendësuar Andrea Pirlon.
Ky i fundit siguroi vendin e katërt sezonin e kaluar, por mori edhe dy trofe (Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë). Shiriti shkon deri në 80 pikë. Juve mund t’i arrijë ato vetëm duke fituar të shtatë ndeshjet që kanë mbetur nga tani deri në fund të kampionatit.
Pse ky qëllim? Sepse vitin e kaluar, Pirlo e mbylli me 78 pikë dhe Allegri është thirrur ta përmirësojë atë rezultat. Ndryshe, pse duhej të zëvendësohej ish-mesfushori nga një ish-trajneri i shkarkuar më herët?! Me një barazim dhe gjashtë fitore do të arrinte vetëm “Maestron”.
Janë detaje, do të thoshin disa. Ajo që ka rëndësi, në fakt, është se edhe një herë Juventusi e gjen veten të shkëputur nga lufta për titullin. Detaje që trajneri livornez i merr në konsideratë në planin individual. Allegri dëshiron absolutisht të kapërcejë kuotën e paraardhësit të tij.
Pas ndeshjes si mysafir në Cagliari, Juve do të presë Bologna në prag të Pashkëve. Më pas do të jetë gjysmëfinalja e rëndësishme e kthimit të Kupës së Italisë kundër Fiorentinës, pastaj sërish kampionati me ndeshjen jashtë fushe kundër Sassuolos. Së fundi, Venezia në shtëpi, Genova në “Marassi”, Lazio në “Allianz Stadium” dhe sërish Firence, dita e fundit e kampionatit.
Me pak fjalë, nuk do të jetë e lehtë t’i fitojë të gjitha, por Allegri dëshiron të provojë. Kjo për shkak se fantazma e Pirlos dhe sezoni i tij i parë si trajner ende rri pezull në dhomat e “Vinovos”. Mos harroni, grumbulloi 78 pikë dhe fitoi dy trofe, por Andrea u largua. Çfarë do të ndodhte me Allegrin, nëse nuk arrin as kuotën e “Maestros”, pa për trofe ka mbetur vetëm Kupa e Italisë në lojë?!