Profesori i Kriminologjisë, Ervin Karamuço tregoi mbrëmjen djeshme rastin e një studenti që spikaste për zgjuarsinë dhe zellin në shkollë, e që pas disa vitesh u bë pjesë e botës së krimit.
Sipas Karamuços ai personazh është sot një prej ‘gjeneralëve’ të krimit, shumë më i kërkuar se Talo Çela apo Ibrahim Lici, emrat e të cilëve janë bërë publikë nga policia, ku është kërkuar dhe ndihma e qytetarëve për kapjen e tyre.
“…Para disa vitesh në një universitet privat kam patur në bankë të parë njërin, mbase është një çik më lart sesa këta, i cili gjatë gjithë kohës rrinte në bankë të parë, mbante shënime, bënte disa pyetje specifike dhe bënte analiza të mirëfillta.
Ishte student dhe u diplomua dhe tani është gjeneral nuk është kolonel si puna e këtyre. Dhe unë habitesha për zgjuarsinë dhe për mënyrën sesi kërkonte informacion. Student i rregullt dhe kur më kanë thënë oficerët e krimeve që ti ke përgatitur gjermanin, jo partizanin… unë nuk e dija, sepse doli më vonë CV-ja e tij”, tha Karamuço, pa zbuluar emrin e personazhit në fjalë.