Prej vitesh tashmë stacioni i trenit në Fier ka dalë jashtë funksionit e shkak për këtë është bërë amortizimi i hekurudhës dhe lënia në harresë e kësaj mënyrë transporti.
Godina e saj është kthyer në një gërmadhë e cila nuk kryen më asnjë funksion. Qytetarët thonë se në këtë periudhë ku çmimi i karburantit është rritur, lëvizja me tren do të ishte lehtësim për ta, ndërsa kujtojnë me nostalgji vitet kur lëviznin me tren.
Për vite me radhë ky stacion treni ka bërë shpërndarjen e qytetarëve në shumë qytete të Shqipërisë drejt Shkodrës në Veri, drejt Vlorës në Jug dhe në lindje drejt Pogradecit.
“Na vjen keq, gjithë kjo popullsi, shih si është gjendja sot, tani edhe njerëzit janë larguar, ke mall të takosh njeri, është e domosdoshme sidomos në këtë periudhë që është shtrenjtuar edhe nafta. Trenat kanë qenë në kushte më të mira, udhëtimi ishte i sigurtë”, shprehet një ish-punonjës i hekurudhës.
“Kush mund ta ndërtojë pa shtetin, shteti është rregullatori, që duhet ta vëjë në punë, ndryshe mbetet kështu siç ka qenë, kjo është Shqipëria, se ndryshe nuk iknin të rinjtë, do punonin këtu të tërë, është kështu pa ikin njerëzit”, thotë një tjetër qytetar.
“Është katandisur si mos më keq, vetëm këtu në Shqipëri nuk ka fare hekurudha”.