Ditën e sotme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja, votimi ndaj të cilit ishte unanim.
Pas seancës, Ndoja nënkuptoi se do e ankimojë vendimin në Strasburg, ndërsa i pyetur nga mediat nëse e cilëson shkarkimin e tij me ndikim politik, Ndoja tha: Pas bubullimave pritet shiu.
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka konstatuar se Ndoja gjatë ushtrimit të detyrës ka favorizuar persona me precedent penal, në disa raste.
Në seancën dëgjimore që u mbajt javën e kaluar, Ndoja i konsideroi politike qëndrimet dhe sulmet ndaj tij, ndërkohë që kërkoi të kontrolloheshin tabulatet telefonike të kryeministrit Edi Rama, për të parë nëse ky i fundit po ashtu ka kontakte me persona të botës së krimit.
“Meqë tabulatet e mia telefonike i kanë marrë me telefonata, me kontakte, me subjekte politike, të bëjnë të njëjtën gjë edhe për një subjekt që kam pasur nën hetim dhe ka patur komunikim të drejtpërdrejtë me kryeministrin”, u shpreh Ndoja në seancën e vetingut.
Prokurori nuk e saktësoi se cili ishte personi nën hetim që komunikonte direkt me Edi Ramën dhe as dosjen në të cilën është regjistruar ky komunikim.
Arjan Ndoja u sulmua hapur nga kryeministri Edi Rama dhe zëvendësi i tij asokohe, Erion Braçe, në lidhje me dosje që prokurori kishte sa i takon tokave në bregdetin e Durrësit.
Ndoja u quajt nga Rama KÇK, një nismë kjo që vijoi për muaj me radhë të trumbetohej nga socialistët.
Sipas vëzhguesve të ONM-së, Ndoja ka pasur kontakte me persona me precedentë penalë, duke cënuar pastërtinë e figurës së tij si prokuror.