Të ardhurat buxhetore shënuan rritje vjetore me 23% në 4-mujorin e parë 2022, ritmet më të larta në 22 vjet, por shpenzimet që kishin lidhje me përmirësimin e nivelit të jetesës në shtresat e varfra, të tilla si ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë, shënuan ulje në një kohë që çmimet e larta po gërryejnë me shpejtësi buxhetet familjare. Shpenzimet për familjet e varfra kanë shënuar rënie vitet e fundit në raport me shpenzimet e përgjithshme buxhetore, edhe pse vendi u godit nga tre kriza të njëpasnjëshme si tërmeti, pandemia Covid-19 dhe lufta në Ukrainë dhe shkalla e varfërisë ishte në rreth 25% të popullsisë. Të ardhurat buxhetore shtesë që po vijnë nga rritja e çmimeve po shkojnë si mbështetje për kompanitë e energjisë dhe ato që kanë kontrata punimesh me qeverinë. Përkeqësohet produktiviteti i përdorimit të buxhetit, pasi borxhi publik nga 2013-2021 është zgjeruar me 53%, ndërsa ekonomia, me vetëm 23%.
Blerina Hoxha
Gazmendi, kryefamiljar i papunë me gruan dhe pesë fëmijë në qarkun më të varfër të vendit, Kukës, merr ndihmë ekonomike vetëm 8 mijë lekë në muaj. Për të siguruar mbijetesën, djali i tij, ende pa mbushur të 15-at, braktisi shkollën e mesme për të emigruar në Britaninë e Madhe, në një mënyrë që për pak i rrezikoi jetën.
Ai tani duhet të dërgojë në familjen e tij së paku 300 paund në muaj, për të siguruar ushqim për 4 motrat më të vogla dhe dy prindërit. Një histori të ngjashme kanë të paktën 62 mijë familje në vend që trajtohen me ndihmë ekonomike. Të ardhurat mujore janë maksimumi 8,5 mijë lekë në muaj, pavarësisht numrit të anëtarëve.
Rritja e paprecedentë e çmimeve të ushqimeve e ka përkeqësuar mbijetesën, teksa shihet se fondet për ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë janë ulur më tej gjatë 4-mujorit të parë të vitit. Ministria e Financave raportoi se në janar-prill 2022, u alokuan 7,2 miliardë lekë ndihmë ekonomike, me rënie vjetore 5%, teksa fondet për pagesën e papunësisë shënuan rënie me rreth 40% në të njëjtën periudhë.
Kjo tendencë është në kontrast me ecurinë e të ardhurave buxhetore, që po shënojnë rritje të ndjeshme, “të ndihmuara” nga shtrenjtimi i çmimeve.
Në dy vitet e fundit, të ardhurat buxhetore janë rritur në nivelet më të larta që nga viti 1999, por kjo situatë e mirë fiskale nuk po rishpërndahet në mënyrë të drejtë, pasi fondet për ndihmën ekonomike dhe pagesat e papunësisë për shtresat më të varfra, në vend që të rriten, po ulen.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2019 deri në vitin 2021, shpenzimet buxhetore janë rritur me mbi 104 miliardë lekë (870 mln euro) ose 21%, teksa fondet për ndihmën ekonomike mbeten thuajse në vendnumëro në dy vitet e fundit 2020 dhe 2021, me vetëm 24 miliardë lekë, me rritje vetëm 5% nga viti 2019. Në 4-mujorin e parë të këtij viti, pagesat ndaj të varfërve u përkeqësuan më tej, pasi fondi i akorduar për ndihmën ekonomike shënoi rënie vjetore me 4%.
INSTAT raportoi se gjatë vitit të kaluar u shpërndanë 5,3 miliardë lekë si ndihmë ekonomike në 62 mijë familje në të gjithë vendin, me pagesë mesatare 8,5 mijë lekë në muaj. Saktësia e alokimeve vihet në dyshim, pasi të dhënat për të njëjtin zë, të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ajo e Financave dhe INSTAT janë të ndryshme.
Të ardhurat mesatare të pensionistëve, dy vitet e fundit, janë gjithashtu në rënie, në një kohë që kosto e jetesës po rritet me ritme të shpejta. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në mes të vitit 2021 arriti në 14,900 lekë nga mbi 15,000 lekë në fund të dhjetorit 2020.
Ekspertë vendas të ekonomisë dhe institucionet financiare thanë se qeveria çon shumë pak fonde për shtresat në nevojë në raport me mundësitë. Më herët këtë muaj, Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratën përmbyllëse të misionit në vendin tonë, tha se, “Buxheti i vitit 2022 (siҫ u rishikua në mars) ka hapësirë të mjaftueshme për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë”.
Ndërsa prof. dr. Selami Xhepa tha se me rezultatet e fundit të arkëtimeve, qeveria duhet të miratojë një paketë të dytë ndihme për shtresat në nevojë dhe pensionistët me rreth 50 milionë euro, kurse shpenzimet për punët publike duhet të kompensohen me ritmet e inflacionit.
Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave me përvojë në rialokimet buxhetore, tha se, të ardhurat shtesë që janë krijuar si pasojë e rritjes së çmimeve dhe konstatohen kryesisht tek tatimet mbi konsumin (indirekte) si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar apo akcizën, duhet të synojnë kompensimin e atyre që i kanë paguar këto taksa “shtesë”, që në këtë rast janë qytetarët.
Prandaj, pa asnjë mëdyshje, përparësia e rishpërndarjes së të ardhurave të rritura për shkak të inflacionit duhet të shkojë si ndihmë direkte për shtresat në nevojë, por edhe për shtresat e mesme, tha zoti Shehu.
Ministria e Financave, në një përgjigje të posaçme, sqaroi se, rishpërndarja në aktin normativ të marsit u reflektua në buxhet në rritje të të ardhurave prej 10 miliardë lekësh, dhe nga ana tjetër u reflektuan në total 10 miliardë lekë më tepër shpenzime.
Brenda këtij totali u alokuan 20 miliardë për mbështetje për energjinë dhe 5 miliardë për paketën e rezistencës, dhe ndërkohë u reduktuan 15 miliardë nga shpenzimet korente dhe ato kapitale me përkatësisht nga afërsisht 7.5 miliardë secila. Në vijimësi, rishpërndarjet do të kryhen në raport me zhvillimet në tërësi, atyre të financave publike më specifikisht, të ekonomisë, sqaroi Ministria e Financave.
Pagesat për ndihmën ekonomike, në ulje në raport me shpenzimet totale
Shpenzimet publike në vlerë, vitet e fundit, kanë shënuar rritje domethënëse prej arkëtimeve të të ardhurave dhe rritjes së borxhit me ritmet më të larta të 22 viteve të fundit, ndërsa pagesat për shtresat në nevojë kanë pësuar ulje në raport me totalin e shpenzimeve, – tregojnë të dhënat zyrtare të qeverisë të raportuara nga Ministria e Financave.
P.sh. në 4-mujorin e parë 2022, pagesat për ndihmën ekonomike, në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore, arritën nivelin më të ulët që nga viti 2018. Fondet e alokuara për këtë zë ishin 4.3% e shpenzimeve totale buxhetore, nga 4.5% në të njëjtën periudhë të vitit 2021, teksa ishin në të njëjtat raporte si në 4-mujorin e parë të vitit 2018.
Të dhënat tregojnë se shpenzimet buxhetore në përgjithësi janë rritur më shumë se pagesat për të varfrit, kurse rënia duhet të jetë edhe më e madhe për shkak të inflacionit të lartë gjatë kësaj periudhe.
Çmimet mesatare në 4-mujorin 2022 u rritën 4.8% dhe së paku me kaq është zhvlerësuar edhe fondi i ndihmës ekonomike për familjet e varfra, duke e theksuar edhe më tej rënien në raport me vitet e kaluara.
Edhe pse qeveria shqiptare pagoi një kredi të shtrenjtë për të reformuar fondin e ndihmës ekonomike në vitin 2014, për të rritur pagesat për familjet që me të vërtetë e meritojë, pagesat sërish mbeten poshtë nivelit të varfërisë relative.
Të ardhurat shtesë, 7 herë më të larta se “paketa e rezistencës”
Rritja e paprecedentë e çmimeve fillimisht nga pandemia Covid-19 dhe së fundmi nga lufta në Ukrainë në afatshkurtër, po jep efekte pozitive në të ardhurat buxhetore, por, nga ana tjetër, po ndikon në përkeqësimin e nivelit të jetesës në të gjitha shtresat e shoqërisë.
Gjatë periudhës janar-prill 2022, të ardhurat në buxhetin e shtetit ishin rreth 300 milionë euro më të larta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe rreth 100 milionë euro më shumë se plani i periudhës.
Qeveritë kudo në botë, edhe në vendet më të zhvilluara të Europës, janë duke aplikuar një format rishpërndarje të të ardhurave publike që targeton më të varfrit. P.sh., qeveria e Britanisë ka miratuar disa paketa ndihme këtë vit, për të mbrojtur familjet e varfra nga rritja e çmimeve dhe sidomos faturat më të larta të energjisë.
Pak ditë më parë, qeveria britanike miratoi paketën “Warm Homes Discount” që u ofron familjeve me të ardhura të ulëta një zbritje vjetore prej 150 paund në faturën e tyre të energjisë elektrike, midis tetorit dhe marsit. Kancelari Rishi Sunak njoftoi në shkurt se kjo skemë do të zgjatej deri në mars të vitit 2026 dhe do të ishte e hapur për 3 milionë njerëz. Vlera e paketës do të jetë 10 miliardë paund.
Qeveria e Shqipërisë, në mars të këtij viti miratoi një paketë rezistence rreth 5 miliardë lekë, e cila i shërbeu indeksimit të pensioneve që në fakt është detyrim ligjor për çdo vit normal. Ndërsa rreth 1.8 miliardë lekë u shpërndanë në disa shtresa pensionistësh si një mbështetje 3 mijë lekë në muaj për tre muaj, mars, prill, maj 2022.
Të ardhurat që qeveria shqiptare grumbulloi më shumë se vitin e kaluar janë 7 herë më të larta se paketa e rezistencës prej 5 miliardë lekësh për të ndihmuar shtresat në nevojë për të përballuar rritjen e çmimeve.
Alokimi joproduktiv i shpenzimeve
Përkundër sugjerimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe enteve të tjera të specializuara, qeveria e Shqipërisë mbajti një nivel të lartë shpenzimesh publike në dy vitet e krizës, edhe pse shihet se ato nuk po japin produktivitetin e pritur në ekonomi. Vitin e kaluar, investimet publike ishin sa 16.5% e shpenzimeve totale buxhetore.
Në vitin 2020, në kulmin e krizës së Covid-19, shpenzimet publike arritën në 18.3% të shpenzimeve totale nga 15.4% në vitin 2015. Mbajtja e shpenzimeve për investime në nivele të larta u financua më së shumti me borxh. Por siç shihet nga të dhënat, ndikimi në ekonomi i investimeve ka qenë i ulët, përderisa ekonomia është rritur me ritme më të ulëta se borxhi. Në vitin 2021, vendi përjetoi rritjen
më të lartë ekonomike të dy dekadave më rreth 8.5%, ndërsa borxhi publik në vlerë u zgjerua me 13% në të njëjtin vit. Nga viti 2013 deri në fund të vitit 2021, borxhi publik në vend është rritur shumë më tepër se ekonomia.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë kësaj periudhe, borxhi në vlerë është zgjeruar me 53.3%, ndërsa ekonomia është zgjeruar me vetëm 23.2%. Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë publik pas Malit të Zi, në 10 vende të rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore, sipas një renditje të fundit te Bankës Botërore, por niveli i lartë i tij nuk i ka shërbyer rritjes ekonomike.
Rritja e borxhit më shumë se sa ekonomia tregon mungesën e efikasitetit të investimeve publike, të cilat duket se nuk e kanë rritur vlerën e shtuar në ekonomi.
Të copëzuara në projekte, që shpesh nuk janë prioritare dhe të karakterizuara nga një nivel i lartë korrupsioni, investimet publike, megjithëse në vlera të larta, nuk përmbushin misionin që kanë. Rast ilustrues është afera e koncesionit të inceneratorëve, ku një proces hetimi i SPAK zbuloi një abuzim të madh me fondet e akorduara për menaxhimin e mbetjeve.
Inflacioni i lartë, Shqipëria fond të ulët mbështetje në raport me Rajonin
Ashtu si edhe për krizën e Covid-19, qeveria shqiptare ofroi një paketë relativisht të ulët për të mbështetur shtresat e varfra nga rritja e çmimeve në raport me rajonin. Banka Botërore, në raportin e fundit rajonal, krahasoi të dhënat mbi mbështetjen buxhetore që qeveritë kishin dhënë deri më 25 mars në mbështetje të përballimit të rritjes së çmimeve dhe të energjisë.
Shqipëria akordoi paketën më të ulët financiare në raport me vendet e tjera, me përjashtim të Bosnjës, që është në tranzicion zgjedhor dhe Malit të Zi, që gjithashtu ishte në krizë qeveritare. Banka Botërore evidentoi se Shqipëria akordoi nga buxheti i shtetit 1.4% të PBB, ku 1.1% shkoi si mbështetje për kompanitë publike të energjisë dhe 0.3% e PBB për përfitime sociale.
Në të njëjtën periudhë, Serbia akordoi një paketë që mbron qytetarët nga rritja e çmimeve sa 2.5% e PBB-së, ku 0.9% shkuan si ulje takash, 0.8% ndihmë për kompanitë e energjisë dhe 0.8% për ndihmë sociale për shtresat në nevojë.
Maqedonia e Veriut akordoi 4.9% të PBB-së saj, ku 1.4% shkoi si mbështetje për kompanitë e energjisë, 1.5% si ulje takash (heqja e akcizës te karburantet dhe TVSH-së tek ushqimet), 1.9% për subvencione dhe 0.2% shpërndarje në formën e përfitimeve sociale.
Gjithashtu Kosova çoi 2.1% të PBB-së së saj mbështetje antikrizë, ku 1.3% iu akorduan për kompanitë e energjisë, 0.4% ndihma sociale për të varfrit dhe 0.3% subvencione. Më vonë gjatë prillit, qeveria e Kosovës miratoi edhe një paketë prej 100 eurosh, e cila u shpërnda për shumicën e popullsisë.
Të ardhurat buxhetore shtesë do të shkojnë te biznesi që ka kontrata me qeverinë
Gjatë 4-mujorit, qeveria arkëtoi rreth 100 milionë euro më shumë se plani i periudhës dhe rreth 300 milionë euro më shumë se viti i kaluar. Por sipas aktit të fundit normativ, i miratuar pak dirë më parë, kjo shtesë fondesh do të shkojë për kompensimin e kompanive që kanë kontrata për punë publike me qeverinë dhe sidomos kompanitë e rindërtimit.
Procesi i rindërtimit, i cili po zhvillohet në kushtet e një mungese transparence të plotë, do të marrë shumicën e fondeve. Akti normativ thotë se operatorët ekonomikë, që janë kontraktuar nga qeveria për investime do të kompensohen 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e hekurit, bitumit, çimentos, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut në kontratat publike përkatëse.
Sipas aktit normativ, operatorët ekonomikë, të angazhuar në kontrata publike për punë me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit, ose të enteve të tjera publike, apo të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51%, i paraqesin autoritetit kontraktor kërkesën për kompensim, për pjesën e kostos që lidhet me rritjen e çmimit të materialeve të ndërtimit,
Autoritetet kontraktore shqyrtojnë kërkesën brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Në rast të refuzimit të kërkesës, operatori ekonomik ka të drejtë të ankimojë vendimin në gjykatën kompetente.
Për kontratat publike për punë, që do të lidhen pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, autoritetet kontraktore duhet t’u referohen çmimeve të tregut për materialet e hekurit, çimentos, bitumit, tubave plastikë dhe në rastin e shoqërive me kapital shtetëror, të paktën 51%, duke përfshirë edhe aluminin, bakrin dhe zinkun.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se, kompensimi në këtë mënyrë i kontratave publike është i padrejtë, pasi ai duhet të indeksohet me ritmet e inflacionit.
Azmi Stringa, i cili ka audituar vitet e kaluara buxhetin për llogari të Kontrollit të Lartë të Shtetit, tha se, të ardhurat shtesë do të përdoren nga qeveria për të mbuluar detyrimet e prapambetura në vend që të shkojnë si ndihmë për shtresat nevojë, të cilat kanë ndikuar në të ardhurat shtesë, duke paguar më shumë taksa, për shkak të rritjes së çmimeve. P.sh., për një litër vaj, aktualisht paguhet rreth 90 lekë TVSH, nga rreth 40 lekë që paguheshin një vit më parë.
Çmimet e larta do të përmbysin arritjet në uljen e varfërisë lajmëron Banka Botërore
Banka Botërore vlerëson se varfëria ka rënë në mënyrë të ndjeshme në vitin 2021, kryesisht nga rritja e pagave dhe rritja e remitancave, por këto arritje rrezikojnë të përmbysen nga rritja e çmimeve.
“Varfëria në Shqipëri vlerësohet të ketë rënë në mënyrë të konsiderueshme në 22% të popullsisë në vitin 2021, por inflacioni mund ta përmbysë këtë trend”, lajmëroi Banka në raportin e pranverës për rishikimin e rregullt të ecurisë ekonomike të Rajonit të Ballkanit. Midis 2016 dhe 2019, bazuar në ecurinë e të ardhurave, varfëria në Shqipëri ra me 11.8 pikë përqindje.
Në vitin 2020, varfëria vlerësohet të jetë rritur me 3.2 pikë përqindjeje, për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë e Covid-19. “Në vitin 2021, ekonomia u rikthye fuqishëm dhe PBB-ja për frymë u rrit me 8.5%.
Edhe pse punësimi nuk u rikuperua plotësisht, ka dëshmi të rëndësishme se rritja e të ardhurave reale për pagat minimale me 13% dhe rritja me 14.7% e remitancave kanë ndikuar në uljen e varfërisë nga më shumë se 30% të popullsisë më 2020 në 22% më 2021.
Megjithatë, Banka sinjalizon se inflacioni në rritje mund të reduktojë ndjeshëm rritjen e të ardhurave reale në mesin e familjeve të varfra dhe të cenueshme dhe do të frenojë zbutjen e varfërisë. Përvoja të kaluara tregojnë se rritja ekonomike në Ballkan dhe sidomos në Shqipëri nuk është përkthyer në ulje të varfërisë./ Monitor