Stina e verës ka sjellë perveç temperaturave te larta edhe rastet nga pickimet e zvarranikëve dhe insekteve.
Vetëm gjatë periudhës Maj-Qershor në spitalin Rajonal në Fier janë paraqitur 5 raste nga pickimi i nëpërkes dhe gjarpërit, 3 raste nga pickimi nga merimanga dhe 2 nga akrepi duke e çuar në 10 numrin e tyre.
Mjeku Toksikolog Lulzim Banushaj u shpreh në një prononcim për mediat se rastet më të shumjta janë në zonat kodrinore dhe se numri i tyre është i lartë pasi i nxehti ka nisur më herët këtë vit.
“Nga mesi majit e deri më tani ka pasur raste sepse vapa nisi shpejt. Ka pasur thatësirë dhe pickime nga merimangat e kafshime nga gjarpri. Nuk ka pasur raste të formës së rëndë. Ka më së shumti në zonat kodrinore”-tha Banushaj.
Sipas bluzave të bardha të gjithë personat e pickuar nga merimanga dhe zvarranikët i kanë shpëtuar rrezikut nga vdekja ndërsa mjeku ka shpjeguar se në këtë periudhë helmi i zvarranikëve dhe insekteve është shumë i koncentruar dhe viktimat e tyre janë të rrezikuara nga helmi vdekjeprurës.
Rastet më të shpeshta janë nga Fieri dhe Mallakastra ku fermerët në këtë periudhë janë të ekspozuar për shkak të punëve në bujqësi.