E enjtja e 7 Korrikut, do të rikthejë protestën e parë të opozitës nën drejtimin e Sali Berishës. Edhe pse u mendua se do të pritej shtatori për nisjen e protestave, PD ka ndezur motorrët dhe do të zbresë në shesh, për herë të parë pas shumë muajsh pasditen e të enjtes.
Kësaj proteste pritet që ti bashkohen edhe disa nga deputetët demokratë, të cilët ose janë të rreshtuar në grupimin Basha, që sot drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, pas tërheqjes së ish-kreut demokrat, ose kanë preferuar të qëndrojnë neutralë, duke mbajtur një distancë qoftë nga ish-Kryeministri Berisha ashtu edhe nga Alibeaj.
Dhe atë që s´po arrin dot ta bëjë në Kuvend për të bashkuar grupin parlamentar, duket se Berisha mund t´a arrijë përmes protestave, të cilat pritet të mbledhin edhe deputetët demokratë.
Jorida Tabaku, e cila është rreshtuar në krah të grupimit të Alibeajt ka deklaruar se do të marrë pjesë në protestë, duke thënë se të njëjtin qëndrim ka pasur edhe për protesta të thirrura kundër rritjes së ccmimeve.
“Unë kam marrë pjesë në çdo protestë qytetare, isha dhe para një jave me 3 femijët. Do te dal në çdo protestë”, tha Tabaku.
Gjithashtu protestës do ti bashkohet edhe deputeti i Lushnjes, Saimir Korreshi, i cili bën pjesë te deputetët që as nuk i është bashkuar Berishës, por as grupimit Basha-Alibeaj.
“Po do marr patjetër, në çdo proteste kundër kësaj qeverie unë do të marr pjesë”, tha ai.
Mediat kanë kontaktuar edhe deputeten Grida Duma, e cila ka deklaruar po ashtu se do të marrë pjesë në protestën e 7 korrikut.
Po kështu pjesëmarrjen në protestë e kanë konfirmuar edhe Tomorr Aliyoti, Helidon Bushati dhe Dhurata Çupi.
Nuk dihet nëse protestës së thirrur nga Berisha do ti bashkohen apo jo Gazment Bardhi apo Enkelejd Alibeaj, të cilët në jo pak raste kanë shkëmbyer replika dhe akuza të forta me ish-Kryeministrin Sali Berisha.