Një shpërthim me eksploziv raportohet se ka ndodhur në Sarandë.
Ngjarja u regjistrua mbrëmjen e kësaj të mërkure (29 qershor) rreth orës 22:30 në lagjen nr.4, ndërsa korrespondentja e “Fax News”, bën të ditur se shpërthimi ka ndodhur në një hotel. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, ndërsa nuk dihen ende rrethanat si ka ndodhur shpërthimi.
Nga informacionet paraprake bëhet me dije se hoteli ishte inauguruar para pak ditësh, ndërsa pronarit të këtij biznesi i është vendosur eksploziv edhe në 2021.
Njoftimi i policisë Sarandë:
Më datë 29.06.2022, rreth orës 22:40, në lagjen nr.4, Sarandë, në hyrjen e një garazhi, në pronësi të shtetasit M. M, ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe grupi hetimor, për të kryer veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.