Një sasi tritoli shpërtheu mbrëmjen e djeshme në zonën ishull Shëngjin, ku objektiv ishte një servis në pronësi të shtetasit Klaudio Mëhilli.
Ky i fundit në një intervistë për Fax News është shprehur se shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm, dhe ka trembur të gjithë familjen, që ishte në gjumë në momentin e ngjarjes.
Banesa ndodhet në katin e dytë të godinës, ku gjendet edhe servisi, ndërkohë që Mëhilli deklaron se nuk ka probleme me askënd, dhe pret që drejtësia të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të identifikojë autorët.
“Nga ora 12 e gjys jena tremb edhe kaq, ndodheshim në shtëpi duke fjetur, jemi çuar të gjithë si familje. Se kena prit, se skemi probleme me kërrkënd, nuk kam fare dyshime. Fare. Është tremb vajza fort, fëmijë i vogël, normal. Kërkoj të zgjidhet gjithçka, ta di të paktën se prej kujt më ka ardhur”, është shprehur Mëhilli.
Siç shihet dhe nga pamjet nga vendi i ngjarjes, dëmet materiale janë të konsiderueshme, ndërkohë që ende nuk dihet sasia e tritolit që është vendosur në objekt.
Policia nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së lëndës plasëse për shkak të konkurencës.
Hetimet janë duke vijuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vendosjes së lëndës plasëse.
(E.K/Faxweb.al)