Çmimet e larta kanë frenuar konsumin e karburanteve për të katërtin muaj radhazi.
Sipas të dhënave të doganave, në qershor, importet e karburanteve arritën në 45.2 mijë ton, duke shënuar një prënie prej 19.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tkurrja e importeve të karburanteve ka nisur që në muajin mars, kur filloi dhe shtrenjtimi i fotë i çmimeve, që arritën deri në 260 lekë për litër, nga 192 lekë në fund të muajit shkurt, si rrjedhojë e problemeve me furnizimin të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Çmimet kanë vijuar të mbeten të larta dhe në muajt në vijim, pavarësisht ndërhyrjes së Bordit të transparencës, që i fikson nivelet tavan në mënyrë periodike, duke u luhatur aktualisht në rreth 240 lekë për litër.
Por, në qershor, rënia e importeve ishte më e larta e katër muajve të fundit (në mars importet u tkurrën me 16%, në prill me 12.6% dhe në maj me 17.8%), duke treguar për efektin afatgjatë që po jep shtrenjtimi i karburanteve në konsum (shiko grafikun: Importet e karburanteve në ton).
Sipas operatorëve të tregut, konsumi ka rënë sidomos në zonat kufitare, për shkak se makinat furnizohen në shtetet fqinjë, si Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi, ku nafta është rreth 20-30% më lirë. Edhe sezoni turistik nuk ka sjellë ndonjë rritje të dukshme, pasi makinat vijnë të furnizuara.
Rënie ka shënuar dhe konsumi nga biznesi, sidomos ndërtimi, që është stepur për shkak të çmimeve të larta të lëndëve të para.
Konsumi deri në vitin 2021 erdhi në rritje të vazhdueshme
Sipas të dhënave të Doganave, ndër vite konsumi i karburantit ka trend rritës dhe rekordin historik e ka arritur në vitin 2021 me shifrën prej 638,643 ton.
Siç shikohet nga grafiku: “Sasia e karburantit të hedhur për konsum 2011-2021”, konsumi ka pasur trendin rritës me përjashtim të viti 2014 për arsye të politikës fiskale, vitit 2020 për arsye të pandemisë dhe 6-mujorit aktual 2022 e ndikuar fort nga lufta në Ukrainë.
Ndër vite konsumi i karburantit ka trend rritës dhe rekordin historik e ka arritur në vitin 2021 me shifrën prej 638,643 ton.
Marrë nga: Monitor