Është e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme ajo që po realizon Luiza Gega nga gara në garë.
Kampionia kuqezi ka dhuruar në orët e para të mëngjesit të sotëm paraqitjen më të mirë të të gjitha kohërave për Shqipërinë në një Kampionat Botëror, duke tejkaluar përsëri veten.
Gega u rendit e pesta në finalen e 3000 metrave me pengesa në evenimentin më madhor të atletikës që po mbahet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ajo regjistroi kohën 9:10.04, duke thyer me rreth 4 sekonda e gjysmë rekordin kombëtar që kishte vendosur vetëm disa javë më parë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.
Një garë fantastike nga Luiza, e cila për shumë vite me radhë është një garanci absolute në çdo event, por që gjatë këtij sezoni ka thyer çdo limit me paraqitjen e saj fenomenale.
Finalja e 3000 metrave me pengesa në Oregon rezultoi vërtetë spektakolare, teksa vendin e parë e zuri Norah Jeruto e Kazakistanit me kohën 8:52.02 (atlete e natyralizuar nga Kenia).
Në vend të dytë dhe të tretë u klasifikuan etiopianet Werkuha Gatachew (8:55.61) dhe Mekides Abebe (8:56.08), ndërsa e katërta Winfred Mutile Yavi (9:01.31) atlete keniane që përfaqëson Bahreinin.
Rezultate që tregojnë qartë se për të gjetuar një atlete që vrapon më shpejt se Luiza Gega, duhet vajtur vetëm në Kenia apo Etiopi.