Drejtori i postës së qytetit të Dibrës Ilir Vraniçi dhe shefi i zyrës Xhevdet Doda, me urdhër të prokurorisë kanë rënë në prangat e policisë.
Vraniçi dhe Doda akuzohen për shpërdorim detyre. Ka qenë prokurorja Xhoana Mehmetaj e cika ka firmosur urdhër arrestin edhe për punonjësin e postës Gazmir Hasi i cili akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe faksifiikim dokumentash.
Njoftimi i policisë Dibër:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Delivery”.
Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas që shpërdoruan detyrën.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Delivery”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi dhe ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
I. V., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i degës postare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
Xh. D., 64 vjeç, banues në Peshkopi, me detyrë kryetar i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në degën e Postës Shqiptare në Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, i kanë shkaktuar degës postare Dibër, një dëm ekonomik në vlera të konsiderueshme monetare.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit G. H., 33 vjeç banues në njësinë administrative Kastriot, ish-punonjës i shërbimit postar në njësinë administrative Kastriot, Dibër, për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikimi i dokumentave”, pasi dyshohet se ka vjedhur masat e pensionit dhe të ndihmës ekonomike, si dhe ka falsifikuar mandat-pagesat duke firmosur në emër të përfituesve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.