Fasadë dhe propagandë që të zë sytë. Ditët e fundit është diskutuar për ceremoninë që qeveria kishte rezervuar për sportistët Gega e Marku, pasi këta të fundit triumfuan në sportet respektive.
Opinioni reagoi kur në fakt për të njëjtët sportistë shteti shqiptar nuk kishte bërë aspak, përkundrazi i kishte hedhur poshtë pa mbështetje.
E megjithatë ceremonitë me pritje e puthje duarsh duket se na bënë të harronim faktin që po e njëjta sportiste nuk kishte vend ku të stërvitej, nuk merrte asnjë pagesë e madje edhe veshjet duhet ti blinte vetë.
Sot një tjetër emër me peshë, një tjetër artist shqiptar shihet i hedhur poshtë, aq poshtë sa të vjen turp ta pranosh se është e vërtetë.
Vendim Kapaj, mjeshtri i fyellit detyrohet të pastrojë kazanët e mbeturinave për 30 mijë lekë në muaj.
I nderuar nga bota e vendi, me çmimet më të larta që një artist mund të fitojë.
Vendim Kapajn, Mjeshtrin e Madh sot e gjen në Vlorë.
Jo duke bërë muzikën e tij, as duke kompozuar këngë e melodi.
Por e gjen në kontenierët e mbeturinave duke pastruar ato që qytetarët hedhin, plehrat.
E trishtë për një artist të këtij niveli, që meloditë e tij kanë magjepsur dhe aktorë hollivudi e politikanë botërorë.
50 vjet duke krijuar melodi me fyell. Kapaj për disa vite ka punuar në rrugë duke shitur peshk.
Një vit më parë kryetari i Bashkisë së Vlorës, për shkak dhe të reagimit të qytetit mbi atë ku ishte katandisur mjeshtri Kapaj, e punësoi në Bashki.
Opinioni u qetësua, por pa e ditur që në fakt Vendim Kapaj nuk u punësua as në Tetasët e as në Pallatin e Kulturës, aty ku duhet të ishte e ku në fakt rezultojnë të punësuar të gjithë, përveç atyre që duhet.
Vendim Kapaj u punësua si punonjës i pastrimit.
E sot Vendim Kapaj gjendej në Vlorë, duke pastruar mbeturinat, për faj të atyre mbeturinave që një popull i tërë nuk po i pastron dot.
Vendimi e ka nisur punën me fyell gati 50 vite më parë, shfaqjet e tij kanë mrekulluar botën.
Në vitin 2000, në një shfaqje në Butrint të Sarandës, me pjesmarrje të Silvio Berlusconit, ky i fundit u përkul 3 herë para mjeshtrit Kapaj për ta falënderuar për atë që bëri.
Sot njeriu për të cilin u përkul me nderim Silvio Berlusconi, përkulet para kazanëve të mbeturinave për të nxjerr lekët e bukës së gojës.
Sepse në Teatër e në Pallatin e Kulturës ka vend vetëm për miqtë, e vendi i artistëve në Shqipëri mbeten kazanët e plehrave.