Agjenti i Operacionales, Jeton Lami i cili u arrestua ditë më parë pasi dyshohet se kishte transportuar me makinë Ervis Martinajn, ka patur një takim kokë më kokë me ish drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nanon.
Sipas gazetarit Elton Qyno, takimi mes Nanos dhe Lamit është pas ndalimit të këtij të fundit lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Gazetari tha në emisionin “Opinion” se takimi kishte zgjatur rreth 2 orë e gjysmë dhe se Lami kishte folur për emra dhe rrethana të lidhura me lëvizjet e fundit të bëra nga Martinaj. Qyno shtoi se ish oficeri Lami është një person me një rol kyç edhe në masakrën e Fushë Krujës ku u vra Brilant Martinaj.
“Jeton Lami ka zhvilluar një takim dy orë e gjysmë me Gledis Nanon. I ka kërkuar ndjesë dhe ka folur për emra të tjerë të përfshirë. Dyshimet janë se ka pasur diskutime edhe për rrethanat ku mund ta ketë dërguar Ervis Martinajn.
Biseda është bërë tek për tek në zyrën e Gledis Nanos. Kontaktin pas arrestimit e ka zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm të policisë që ishte në detyrë. Lami është një person që ka një rol në ngjarjen e ndodhur në Fushë Krujë ku u vra Brilant Martinaj”– u shpreh gazetari.