Kryeqyteti ukrainas, Kiev, është sulmuar me raketa nga Rusia, thotë kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.
Sipas tij, mes atyre që u goditën janë edhe dy ndërtesa banimi në rrethin qendror, Pechersk. Ai tha se disa raketa ruse janë rrëzuar me sukses, dhe se ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.
Zyrtarët atje thonë se banorët po qëndrojnë të strehuar në vende të ndryshme nga frika e sulmeve të tjera.
Ky sulm po ndodhë derisa liderët botërorë janë mbledhur në Bali të Indonezisë në samitin e G20-tës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, ku kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u tha liderëve botërorë më 15 nëntor, përmes video-lidhjes, se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është “tani”.
Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin në fund të shkurtit. REL