Më shumë se 10 milionë ukrainas mbetën pa energji elektrike pas një valë të re sulmesh ruse ndaj infrastrukturës kritike, ndërsa janë rritur shqetësimet për furnizimin me energji elektrike të Ukrainës, me afrimin e sezonit dimëror dhe uljen e temperaturave në mbarë vendin.
Sipas kompanisë shtetërore të energjisë “Ukrenergo”, rrjeti energjetik në vend është duke punuar në limite pasi ulja e temperaturave dhe dëmtimet e shumta si pasojë e sulmeve të reja nga raketat ruse e kanë bërë të pamundur furnizimin me kohë të plotë të qytetarëve.
“Për shkak të rënies dramatike të temperaturave, konsumi i energjisë elektrike po rritet çdo ditë në ato rajone të Ukrainës ku furnizimi me energji tashmë është rikthyer pas sulmeve me raketa më 15 nëntor në infrastrukturën energjetike”, bëri të ditur “Ukrenergo” në një deklaratë të lëshuar të premten. “Kjo e ndërlikon akoma më shumë situatën e vështirë në sistemin energjetik.”
Ukrenergo tha se po kufizonte përdorimin e energjisë elektrike në disa zona si “një masë e nevojshme për të ruajtur stabilitetin e sistemit energjetik” dhe kishte dërguar ekipe “duke punuar gjatë gjithë kohës për të rivendosur infrastrukturën e dëmtuar në mënyrë që të kthente delektricitetin tek ukrainasit”.
Sulmet e kësaj jave me raketa goditën infrastrukturën kritike në qytetet anembanë Ukrainës, pasi në shumë pjesë të vendit, përfshi në kryeqytetin Kiev, u panë reshjet e para të borës.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se më shumë se 10 milionë ukrainas nuk kanë energji elektrike.
“Shumica e tyre janë në rajonet Vinnytsia, Odesa, Sumy dhe Kiev,” tha ai në fjalimin e tij të enjten.
Zelensky tha se ekipet e inxhinierëve po bënin gjithçka për të normalizuar furnizimin, por kishte “përsëri ndërprerje urgjente, përveç atyre të planifikuara të stabilizimit”.
“Yasno”, një furnizues i energjisë elektrike në Kiev, tha se qyteti kishte përjetuar ndërprerje emergjente gjatë gjithë ditës të enjten, me rrjetin që kishte më pak se gjysmën e furnizimit të tij normal.
Bombardimet dhe sulmet me raketa ruse goditën infrastrukturën civile në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës së të enjtes.
Zelensky tha se dhjetëra njerëz u plagosën si rezultat i një sulmi raketor në Dnipro, ndërsa në Zaporizhia shtatë trupa u gjetën nën rrënojat e një ndërtese banimi të shkatërruar nga bombardimet ruse. Dy trupa të tjerë u gjetën më vonë në Zaporizhia, duke e çuar numrin e viktimave në nëntë.
Tre persona të tjerë u shtruan në spital pasi u plagosën në sulmet me raketa në Izium në rajonin e Harkivit. Disa objekte të prodhimit të gazit në Ukrainën lindore u shkatërruan dhe të tjera u dëmtuan nga bombardimet, ndërsa edhe rajoni jugor i Odesës u godit gjithashtu nga sulmet me raketa ruse.
Zelensky ka akuzuar Rusinë për “terrorizëm energjetik” mbi sulmet e saj të përsëritura në infrastrukturën kryesore.
“Vetë fakti që Rusia i është drejtuar terrorit kundër sektorit të energjisë tregon dobësinë e armikut”, tha Zelensky.
“Ata nuk mund ta mposhtin Ukrainën në fushën e betejës dhe për këtë arsye ata po përpiqen të thyejnë popullin tonë në këtë mënyrë.” REL