Ashtu si të gjithë sektorët edhe bletaria përballet me probleme të shumta, që nga shtegtimi, sëmundjet, medikamentet, konkurrenca e pandershme e deri te tregu.
Ritvan Llanaj është bletërritës nga Cakrani i Fierit i cili pasionin e tij për bletarinë e ka të trashëguar nga gjyshi i tij, por nga 4 koshere që kishte një dekadë më parë, sot Ritvani numëron 120 të tilla. Falë natyrës bujare në kodrat e fshatit Cakran, bletërritësi thotë se nxjerr 500 kilogramë mjaltë në vit. Ky lloj mjalti me cilësi të lartë, ka shumë vitamina dhe është ndër më të mirët thotë Ariani, sepse vjen nga lulet e një vendi të pastër, pa fabrika apo makina që shkaktojnë ndotje.
Ritvani tregon se prodhimi nuk del pa vështirësi dhe përballet shpesh me konkurrencë të pandershme. Në dyqanet shqiptare thotë ai tregtohet mjaltë i shteteve të rajonit e më gjerë sesa ai shqiptar. Ky produkt vjen në vend me një çmim të lirë dhe ekonomia e dobët të bën ta shikosh çmimin dhe jo cilësinë. Edhe në këtë rast duhet ndihma e institucioneve shtetërore si rregullatore, të promovohet prodhimi vendas dhe të bëhen fushata ndërgjegjësuese për vlerat e mjaltit vendas, ka shtuar më tej Ritvani.
Prodhimi këtë vit ka qenë i mbarë thotë bletërritësi por një vit më parë për shkak të sëmundjeve të bletëve pati humbje të mëdha teksa ka theksuar se dhe antibiotikët për të luftuar sëmundjet apo dhe pesticidet për spërkatje duhet të jenë më të kontrolluara. Përballë këtyre problematikave të bletarisë, Llanaj i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë të marrë masa përmes subvencioneve për të ndikuar jo vetëm në rritjen e prodhimit, por edhe të eksporteve pasi mjalti vendas është tepër cilësor.