Fenomeni i shpopullimit po përhapet me hapa të frikshëm në vendin tonë. Një nga bashkitë më të prekura në Elbasan rezulton ajo e Peqinit. Në qytet kanë mbetur vetëm të moshuarit. Ata thonë se janë kushtet e vështira ekonomike dhe mungesa e një pune shkaqet që kanë detyruar rininë të largohet.
Gazetarja e “Fax News” Entela Duka raporton se sapo futesh në Peqin, sheh pasojat e largimit masiv të popullatës. Rrugët janë të zbrazura, ndërsa ata që dominojnë janë të moshuarit dhe tek-tuk syri të sheh të rinj. Një qytet i fjetur, i cili vegjeton në të katër stinët e vitit. Vetë ata që kanë mbetur në qytet thonë se çdo ditë ka njerëz që largohen jashtë për një jetë më të mirë. Në Peqin thonë se nuk i mban me asgjë, pasi vuajnë për nevojat bazike.
“Ne jemi nga fshati, mbi 50 vjeç i kemi të gjithë, të rinjtë ikin të gjithë jashtë. Djalin e kam në Greqi, është bërë aq e vështirë sa s’ke ça të bësh!”-tha një nga banorët.
Fenomeni i shpopullimit nuk është një fenomen i panjohur në Shqipëri. Çdo ditë e më shumë konstatohen largime masive nga vendlindja drejt vendeve që mund të të ofrojnë mundësi më të mira shkollimi, punësimi apo jetese.
“Qyteti është plakur, s’ka punë, ku të shkojnë të rinjtë?! Falimentohemi si qytet, s’ka ku shkon më keq. Sytë me lot prej fëmijëv se i kemi të gjithë jashtë shtetit”-tha një tjetër.